Ekzekutimi me prerje koke i mësuesit në Francë! Frikë dhe revoltim në mbarë vendin

Ekzekutimi me prerje koke i mësuesit në Francë! Frikë dhe revoltim në mbarë vendin

Pamje nga protestat në Francë

Franca u përfshi nga tubime në mbarë vendin me thirrjet pro lirisë së shprehjes dhe laicizmit, ndërkohë që qeveria diskutonte të dielën forcimin e masave kundër ekstremizmit islamik pas sulmit makabër që la të vrarë një mësues të premten.

Duke respektuar udhëzimet për maska, mijëra vetë u mblodhën në sheshin “Place de la Republique” në Paris, të revoltuar nga ekzekutimi me prerje koke i mësuesit të historisë Samuel Paty. Disa mbanin flamuj francezë, ndërkohë që ata që e morën fjalën kujtuan viktimën e fundit të terrorizmit në Francë.

Tronditja dhe revoltimi që përfshiu vendin i ngjante në shumë mënyra dhimbjes që përfshiu Francën gjashtë vjet më parë kur miliona protestues me lapsa në duar dolën për të mbrojtur lirinë e shprehjes, pas sulmeve terroriste në redaksinë e revistës satirike Charlie Hebdo.

“Liria e shprehjes është një ndër vlerat thelbësore të identitetit tonë,” tha Kryeministri Jean Castex për gazetën e përjavshme Le Journal du Dimanche.

Ndërkaq ata që e morën fjalën në tubimet e së dielës paralajmëruan se nuk duhet t’i përgjigjen urrejtjes me urrejtje.

Duke iu referuar slloganit “Unë jam Charlie” që u dëgjua fillimisht pas sulmeve të janarit 2015 tek revista Charlie Hebdo, zoti Castex tha “Jam më tepër se kurrë Charlie”.

 

Por, megjithë thirrjet për unitet kombëtar pas sulmit të dytë terrorist brenda një muaji, francezët kanë mendime të ndryshme kur flitet për përgjigjen ndaj radikalizmit islamik.

Një pjesë e këtij dallimi në mendime ushqehet edhe nga reagimi i autoriteteve ndaj koronavirusit.

“Ose ne, ose ata,” ishte titulluar një artikull redaksional i revistës Le Point lidhur me vrasjen, ndërsa Le Telegramme shkruante se sulmi i së premtes “na kujton se sa i kërcënuar është modeli ynë i sistemit arsimor si dhe ndarja e fesë nga shteti”.

Karikaturat e Profetit Muhamet

Të paktën 11 vetë janë ndaluar dhe po merren në pyetje lidhur me vrasjen e së premtes në një periferi pranë Parisit, kur mësuesi po kthehej nga shkolla në shtëpi.

Ndër të ndaluarit janë të afërm të të akuzuarit, një 18-vjeçar, refugjat nga Çeçenia i identifikuar nga zyrtarët si Abdoullakh A., i cili u qëllua për vdekje nga policia pak pasi kishte ekzekutuar me prerje koke viktimën.

Pasi kishte vënë një fotografi të viktimës Samuel Paty në Twitter, pas ekzekutimit, 18-vjeçari kishte lënë një mesazh kërcënues për Presidentin Macron.

Agjencia e lajmeve Reuters njofton se Twitter e hoqi shpejt postimin, duke thënë se llogaria ishte pezulluar sepse kishte shkelur rregullat e platformës së medias sociale.

Incidenti ndodhi më pak se një muaj pasi një imigrant pakistanez sulmoi me thikë dy persona para redaksisë së vjetër të revistës Charlie Hebdo në Paris.

Në të dyja rastet duket se autorët reaguan ndaj botimit të karikaturave të Profetit Muhamet. Sulmet u ndërmorrën ndërkohë që në Paris vazhdon gjyqi lidhur me sulmet e vitit 2015 në redaksinë e Charlie Hebdo.

Në Conflans-Sainte-Honorine, rreth 30 km nga Parisi, buqeta me lule ishin vënë para shkollës ku jepte mësim zoti Paty. Banorët nderuan mësuesin, që shumë e përshkruan si “të sjellshëm dhe të rreptë”.

A është në rrezik liria e shprehjes?

Vrasja e mësuesit ndodhi pasi kishte treguar gjatë mësimit lidhur me lirinë e shprehjes dhe karikatura të Profetit Muhamet. Sipas nxënësve, në raste të ngjashme para ditës së sulmit ai kishte paralajmëruar nxënësit myslimnë se mund të dilnin nga klasa nëse i konsideronin karikaturat ofenduese.

Por prindërit e nxënësve myslimanë kishin shprehur ankesa. Babai i një nxënësi kishte shprehur pakënaqësi në median sociale, gjë që ishte mbështetur nga Abdelhakim Sefrioui, një islamist i njohur.

Sipas gazetës Le Journal du Dimanche, autoritetet e konsiderojnë Sefriouin si agjitator të rrezikshëm, megjithëse nuk mendonin që reagimi do të ishte deri në vrasje, por vetëm me protesta.

Hetuesit ende nuk kanë gjetur ndonjë lidhje direkte mes të dyshuarit çeçen që jetonte në Normandi dhe zonës ku ndodhej shkolla./VOA

Të dielën, Presidenti Macron u takua me kabinetin e tij për të diskutuar masat kundër ekstremizmit. Partia e zotit Macron ka përgatitur një projekt-ligj kundër separatizmit që kryesisht përqendrohet tek islamizmi radikal.

Presidenti ndërkohë ka pësuar rënie të popullaritetit si rezultat i reagimit të autoriteteve ndaj koronavirusit. Kritikët e akuzojnë qeverinë se edhe në rastin e ekstremizmit, masat e saj kanë qenë të zbehta.

Në përgjigje të komenteve të zotit Macron se ekstremistët nuk do të fitojnë kurrë, udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen reagoi në Twitter me postimin “Ata i kemi këtu, i kemi edhe në shkolla!”.

“Fjalët e mëdha duhet t’ua lënë vendin veprimeve të mëdha,” tha udhëheqësi i qendrës së djathtë Christian Jacob.

Ndërkaq, udhëheqësit e komunitetit mysliman në Francë, komuniteti më i madh mysliman në Evropën Perëndimore, shqetësohen se sulmi i fundit do të pasohet me shtim të ndjenjave anti-myslimane.

“Jam shumë i vrarë nga ky akt i papërshkrueshëm në emër të një feje që nuk ka asgjë të përbashkët me të. Pa dyshim që do të na ndikojë, si qytetarë të Francës dhe si myslimanë,” tha kleriku i xhamisë së Bordosë, Tareq Oubrou në një intervistë për radion franceze./VOA

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen