TIRANE - Rreth 24 orë pas atentatit në Kamëz ku humbi jetën 50-vjeçari Qerim Skaci, policia e kryeqytetit mban 6 persona të dyshuar si të përfshirë në krim teksa ka shpallur në kërkim një person që dyshohet se ekzekutoi në sy të fëmijës Skacin.

Një burim nga grupi hetimor tha për A1 Report se nga mënyra e kryerjes së krimit dyshohet autori dhe viktima kanë pasur njohje të mëparshme me njëri-tjetrin dhe si shkak i vrasjes është hakmarrja për konflikte midis grupeve kriminale që kanë vepruar në qytetin e Kukësit dhe periferinë e Tiranës.


Seksioni i krimeve të rënda ka përgatitur mbi 20 foto të personave me të shkuar kriminale dhe në konflikt me Skacin dhe pritet që sapo djali të kalojë traumën psikologjike t'i vendosen për njohje.

vrasja e qerim skacit
(Në foto: Vendi ku u ekzekutua viktima Qerim Skaci në Kamëz)

Në pyetje janë marrë dhe familjarët e viktimës, të cilët kanë mohuar të kenë patur konflikte me persona të tjerë apo 50 vjeçari t'i ketë shfaqur shqetësim se ndjehej i kërcënuar.

Në masat e marra menjëherë pas vrasjes grupet e forcave të ndërhyrjes së shpejtë kryen operacione në zonën e Kamzës, Fushë-Krujë e Mamurras por pa mundur të kapin autorin teksa kanë shoqëruar mbi 6 persona që mbahen prej ditës së djeshme.

qerim skaci
(Në foto: Viktima Qerim Skaci 50 vjeç)

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)