Një gjykatë e Nju Jorkut dënoi me burgim të përjetshëm 19-vjeçarin, Peyton Gendron një supremacist i bardhë që vrau dhjetë afrikano-amerikanë në një supermarket në Buffalo të Nju Jorkut në 14 maj të vitit 2022.
Seanca u përfundua me një atmosferë të elektrizuar. I afërmi i një viktime tentoi të sulmonte autorin e vetëdorëzuar të masakrës, por u ndalua nga oficerët e policisë të cilët e larguan përkohësisht nga seanca.
Më 14 maj, pas muajsh përgatitjeje, Peyton Gendron hyri në një supermarket Tops, i veshur me kamuflazh dhe i armatosur me një pushkë automatike AR-15. Ai e kishte zbuluar planin e tij drejtpërdrejt në një platformë online, pasi më parë kishte detajuar planet e tij në një "manifest" në të cilin ai shpjegoi se ishte frymëzuar nga sulmet e mëparshme të motivuara racore . Ai zgjodhi këtë supermarket të veçantë në Buffalo, 300 kilometra larg shtëpisë së tij, sepse ka shumë afrikano-amerikanë që jetojnë në atë zonë.