PRISHTINE - Përfundon sot edicioni i 13-të i festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër dhe dokumentar "Dokufest", që ka përçuar një imazh pozitiv për Kosovën kudo në botë.
Ceremonia përmbyllëse dhe ndarja e çmimeve pritet të nisë nga ora 20:00 dhe do të transmetohet direkt në Kohavision.
Gazeta prestigjioze spanjolle "El Mundo" raporton sot për festivalin, duke e quajtur në titull "Parajsa e Kinemasë në Ballkan".
Sipas kësaj gazete, Dokufest që nisi si iniciativë për shpëtimin e Lumbardhit, tani është ngjarja kryesore e vitit në Kosovë dhe një prej ngjarjeve më atraktive në gjithë Ballkanin.
Kineasti spanjoll, Guillermo Carreras-Cand, ka thënë se Dokufesti është një mrekulli. Spanjollja Montserrat Guiu Valls është pjesë e jurisë.
Artikulli përmend shfaqjen e dokumentarit "Brenda ka dritë", të autorëve Rea Surroi dhe Dardan Selimaj, e që trajton përgatitjen dhe pjesëmarrjen në Bienalen e Venecias të artistit kosovar, Petrit Halilaj./ATSH/