ELBASAN -Tre shtëpi rrezikohen të shemben në komunën Labinot-Fushë të rrethit të Elbasanit, për shkak të erozionit të tokës. Prej ditësh, familjet përjetojnë terrorin e rrënimit të shtëpive nga rrëshqitja e dherave si pasojë e shirave të vazhdueshëm të rënë gjatë ditëve të fundit.

Një pjesë e familjarëve kanë braktisur shtëpitë pasi gjendja në banesat e tyre është mjaft e vështirë. Familjarët kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për t’i sistemuar në një ambient tjetër deri sa të gjendet një zgjidhje.

Shefi i urbanistikës Veli Dushku, në komunën Labinot Fushë, shprehet se si komunë “jemi të pafuqishëm nga ana financiare për të përballuar këtë situatë. Ju bëj thirrje të tre familjeve që të strehohen tek të afërmit deri sa të zgjidhet kjo situatë. Formacioni gjeologjik i tokës është i shkrifët dhe ka rrëshqitje dherash sa herë që reshjet e shiut janë të dendura”.

Banorët shprehen të alarmuar me situatën duke mos marrë masa e duhura nga institucionet përkatëse. Sipas tyre, këto tre ditë ata kanë fjetur tek të afërmit dhe komshinjtë, ndërsa fëmijët i kanë larguar me kohë nga banesat e tyre. Investimi i bërë në këto shtëpi është i madh dhe u është dashur vite emigrimi në Greqi për t’i ndërtuar shtëpitë e tyre që fatkeqësisht po i përpin toka ditë për ditë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)