Autoriteti Kombëtar i Ushqimit asgjësoi sot në Elbasan 3.5 ton farë jonxhe si edhe mbi 3 mijë kokrra vezë
ELBASAN, 3 Mars /ATSH-Miranda Sadiku/ -Autoriteti Kombëtar i Ushqimit asgjësoi sot në Elbasan 3.5 ton farë jonxhe si edhe mbi 3 mijë kokrra vezë të skaduara.
Në këtë aksion të AKU ka marrë pjesë edhe drejtori i këtij autoriteti Afrim Bakaj, i cili ka garantuar qytetarët se institucioni që drejton do të vijoje kontrollet për të eleminuar produktet ushqimore, të cilat nuk përmbushin standardet.
Në lidhje me hedhjen në treg të produkteve, të cilave u ka mbaruar data e skadencës, kreu i AKU tha se, " janë marrë të gjitha masat dhe në bashkëpunim me Krimin Ekonomik po ndiqen penalisht dhe po arrestohen të gjithë personat, të cilët abuzojnë duke hedhur në treg produkte të cilave u ka përfunduar data e skadencës".
Më tej, kreu i AKU, i shoqëruar nga drejtori i drejtorisë rajonale në Elbasan, Zenun Bullari, u bëri thirrje   qytetarëve të reagojnë dhe denoncojnë pranë AKU produktet, të cilat rezultojnë me datë skandence të falsifikuar apo që nuk kanë datë skandence. /gj.m/f.n/