Shërbimi i urgjencës mjekësore pritet të pësojë një sërë ndryshimesh, nga mënyra e organizimit dhe koordinimit të ekipeve në terren deri te pagesat e mjekëve roje.
Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, njoftoi se ka nisur rishikimi i ligjit që rregullon funksionimin e urgjencës, ndërsa po punohet paralelisht për digjitalizimin e të gjithë shërbimit, me synim një reagim më të shpejtë dhe të koordinuar ndaj rasteve emergjente.
"Rishikimi i organizimit të shërbimit të urgjencës, investimet e mëtejshme në digjitalizim dhe unifikimi i protokolleve të shërbimit janë ndër prioritetet tona për të përmirësuar koordinimin dhe cilësinë e përgjigjes ndaj urgjencave mjekësore" tha Spahiu.
Gjatë vizitës në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Spahiu bëri të ditur se në buxhetin e vitit 2027 është parashikuar rritja e pagesave për mjekët roje të urgjencës.
“ Me buxhetin 2027 rrisim edhe pagesat për mjekët roje të urgjencës, duke vlerësuar profesionalizmin, përgjegjësinë dhe kontributin e tyre në vijën e parë të kujdesit shëndetësor.Janë shumë vite punë, shumë vite sakrificë, organizim, qasje tjetër e urgjencës, por jam e bindur që asnjëherë, sidomos në këtë sektor, nuk mund të themi se ia arritëm dhe nuk kemi nevojë për asgjë”, tha Spahiu.
Ministrja pranoi se investimet në autoambulanca nuk janë të mjaftueshme dhe se duhet ndërhyrë edhe në pajisjet dhe kapacitetet e ekipeve mjekësore që u përgjigjen thirrjeve për ndihmë.
“Jemi përpjekur çdo vit që të shtojmë numrin dhe të kemi një buxhet të caktuar për autoambulanca të reja, por e njëjta gjë duhet bërë edhe me ekipet, duhet bërë edhe me pajisjet, pra me çdo gjë që ju e keni të domosdoshme kur shkoni në terren dhe përballeni me një urgjencë që mund të jetë e kategorive të ndryshme”, u shpreh Spahiu.
Ministrja foli edhe për ngarkesën që pritet të përballojnë ekipet e urgjencës me afrimin e sezonit të gripit, duke theksuar nevojën për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimit.









Komente
Komento