ELBASAN-Një furgon me 25 pasagjerë është përmbysur në aksin Elbasan-Qerret në fshatin Sericë. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:40 minuta, ndërsa fatmirësisht asnjë person nuk ka pësuar lëndime. Furgoni me pasagjerë ishte duke u kthyer nga Elbasani në drejtim të fshatit Sericë në momentin që është aksidentuar.
Sipas burimeve për Report Tv, pasi ka xhiruar njëra gomë, mjeti ka filluar të ikë mbrapsht duke humbur kontrollin. Drejtuesi ka manovruar duke shmangur greminën dhe mjeti është batuar. Pas njoftimit, ambulanca mbërriti në vendin e ngjarjes, por sipas policisë fatmirësisht aksidenti ishte pa pasoja për jetën e pasagjerëve.
Mjeti me targa AA 146 TK, i prodhuar në 1995 drejtohej nga 48 vjeçari Ardjan Kasneci. Nga kontrolli rezultoi se shoferi nuk kishte konsumuar alkool. Report Tv siguroi pamjet nga vendi i ngjarjes, ku furgoni është përmbysur, ndërsa ka qenë vetëm pak centimetra larg tragjedisë, pasi terreni është i thepisur dhe mjaft i vështirë.
Nga pamjet e siguruara nga Report Tv duken ushqimet e banorëve të zonës, të cilët ishin furnizuar në Elbasan dhe po ktheheshin për në shtëpi kur furgoni me të cilin po udhëtonin është aksidentuar. Ky është aksidenti i dytë brenda ditës së sotme. Nga një aksident sot në Fier humbën jetën tre persona, dy kushërinj të parë dhe e fejuara e njërit prej tyre, teksa po ktheheshin nga një dasëm.
Furgoni i aksidentuar ne Elbasan
Njëri nga pasagjerët që ndodhej në furgon në momentin që u batua, u shpreh për Report Tv se mjeti nuk kishte frena. Sipas tij rruga është shumë e amortizuar, ndërsa shton se fatmirësisht shpëtuan pa lëndime.
Mjeti nuk kishte frena. Erdhi nga neglizhenca e shoferit qe nuk e mirëmbanë mjetin. Rruga është shumë e amortizuar, por mirë që shpëtuam me kaq.
Njëri nga pasagjerët që ishte në furgon kur u përmbys