ELBASAN – Rreth 16 familje në komunën Labinot-Fushë në Elbasan prej tetë vitesh jetojnë në ish-repartin ushtarak të Mengelit. Gjendja e amortizuar e ish-repartit ushtarak si dhe niveli tejet i ulët i këtij reparti nga sipërfaqja e rrugës bën që gjatë stinës së dimrit të rrezikohen nga përmbytjet.

Pjesa më e madhe e banorëve në këtë repart janë nga fshati Godolesh, të cilëve u janë rrezikuar shtëpitë nga tërmeti i disa viteve më pare. Ndërsa aktualisht është prezent rrëshqitja e dherave nga erozioni, i cili rrezikon edhe pjesën tjetër të banorëve që jetojnë në fshatin e origjinës. Banorët jo vetëm që kërkojnë pastrimin e kanalizimeve që i kanë shumë pranë shtëpive banuese, por duan që këto banesa të quhen ligjërisht të tyre pasi shtëpitë u janë shembur ose nuk janë funksionale nga tërmeti.

Banorët kanë kërkuar shumë herë nga komuna që të gjejë një zgjidhje emergjente pasi me fillimin e shirave nisin edhe përmbytjet, ndaj është i domosdoshëm ndërtimi i një kolektori për largimin e ujërave të zeza. Nga ana e kryetarit të komunës Labinot-Fushë, Osman Qosja, reagimi i banorëve është i drejtë, por komuna nuk ka mundësi financiare për t’i ndihmuar.

Ndonëse kanë afro tetë vite në këtë zonë, për banorët ende nuk është bërë asgjë nga ana e qeverisjes vendore pasi pretendohet se nuk ka fonde. Por sipas banorëve, ky problem kështu vazhdon prej kohësh. Pjesa dërrmuese e tyre janë pa leje sepse u mendua se ky qëndrim do të ishte i përkohshëm deri në zgjidhjen e shpejtë të situatës që u krijua nga tërmetit.

(Gre.M/Shqiptarja.com)