ELBASAN- Ben Blushi zhvilloi një takim me banorët e lagjes “Beqir Dardha" në Elbasan. Me qindra qytetarë iu bashkuan takimin me deputetin e PS-së, dhe ndanë me të problematikat që i shqetësojnë. Risia e këtij takimi ishte “Këndi i fjalës“. Kjo gjë ju ka pëlqyer banorëve të sportit të vjetër dhe janë bashkuar për të dëgjuar nga afër Ben Blushin.
 
Gjatë fjalës së tij, Blushi u shpreh se, “Elbasani do ndryshojë në katër vitet e ardhshme. Kjo papunësi, ky analfabetizëm, ky mjerim, kjo mungesë shpresë, këto taksa të padrejta, këto shkolla të pamerituara të gjitha këto ne do t’i ndryshojmë pas datës 23 qershor”, tha Blushi.
 
Deputeti i PS tha se Elbasani është një qytet që në 23 qershor do ketë qeverinë e duhur. Pas 23 qershorit, vazhdoi Blushi, do ndëshkohet kushto që ka abuzuar dhe, padyshim ata që përpiqen të vazhdojnë të abuzojnë me vendet e punës.
 
“Ky qytet, këto lagje, Shqipëria nuk meriton të vidhet nga qeveria. Ne do t’i sjellim Shqipërisë një qeveri që nuk abuzon me fondet publike, përkundrazi, Shqipëria do ketë një qeveri që do ulë taksat e do mendojë për qytetarët”, vazhdoi Blushi .
 
Në fund të fjalës së tij, Blushi përmendi edhe taksimin e ndershëm ku, të pasurit duhet të kontribuojnë në shoqëri më shumë dhe ai që është më i varfër duhet të ndihmohet nga shteti.
“Për të pasur rroga më të larta, pensione më të larta, jetesë më dinjitoze, duhet votuar Partia Socialiste dhe numri 29 në datën 23 qershor”, tha Blushi.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)