Elbasan, ekonomia në duar të grave
shembulli i bletërritëseve e agrofermereve

30 gratë bletërritëse të Gjinarit kanë arritur tashmë të kenë frytet e para të koshereve. Qysh në vitin e parë ato po mendojnë se si të shtojnë bletët për të prodhuar më shumë mjaltë vitin që vjen. Pasi janë trajnuar dhe kanë përfituar bazën materiale nëpërmjet UN Women të financuar nga qeveria suedeze, bletërritëset po synojnë të formalizojnë tregun e mjaltit. Luljeta Mufali ka shtuar me shpejtesi kosheret e bletëve duke e parë si një mundësi për të siguruar të ardhura për familjen e saj.

Pasi ka vjelur edhe mjaltin e fundit, Luljeta tregon se ka pasur një ndihmë shumë të madhe nga projekti i realizuar nëpërmjet shoqatës së krishterë Diakonia Agape tani po mendon për tregun. "Kemi pasur një mbështetje shumë të madhe për trajnimin dhe bazën materiale për të rritur kosheret dhe përmirësuar cilësinë e vjeljes së mjaltit. Tani kemi nevojë për tregun pasi mjalti po shtohet. Të gjithë duhet ta njohin mjaltin e Shpatit pasi vjen nga lule të ndryshme dhe është tërësisht natyral". Si Luljeta janë edhe 29 gra që tashmë janë kthyer në bletërritëse, edhe pse ka prej tyre që nuk e njihnin kosheren e bletëve.

Ky ishte klasteri i parë ekonomik i ngritur në Gjinar të Elbasanit i njohur si "Gratë bletërritëse të Shpatit i mbështetur prej disa muajsh nga UN Women. Organizimi me synim fuqizimin ekonomik të grave kishte si domozdoshmëri rritjen e kapaciteteve teknike me qëllim qëndrueshmërinë e këtij aktiviteti si dhe hartimin e një plani biznesi për bletërritjen dhe prodhimin e mjaltit. Veç kësaj gratë u mbështetën me paisje për prodhimin e mjaltit, si edhe për etiketim e paketim, për të siguruar që produktet e tyre përputhen me kerkesat e tregut që ato synojnë, të evidentuara gjate vlerësimit të nevojave dhe hartimit të Plan Biznesit. Më pas është vazhduar me promovimin e këtij klasteri si dhe po shihen mundësitë e një bashkëpunimi në rrjet. Marka e mjaltit "Gratë bletërritëse të Shpatit" vjen pas trajnimit të dy grupeve nga 15 pjesëmarrëse të cilat ndoqën 6 sesione teknike për bletërritjen.

Gjinari ka 11 fshatra në territore mjaft të gjëra, gjë që e bën mjaltin të ndryshëm dhe mjaft cilësor. Ka kushte mjaft të përshtatshme për ta zhvilluar më tej këtë aktivitet për shkak të shumllojshmërisë së luleve dhe drunjve si dhe sipërfaqeve të mëdha pyjore. Klasteri në zonën e Gjinarit nuk vjen rastësisht pasi gratë e njohin bletërritjen dhe ka prej tyre që kanë mbi 20 vjet që mbajnë pak koshere në shtëpitë e tyre por vetëm tani gratë janë organizuar dhe e shikojnë bletërritjen si një mundësi shumë të mirë për të rritur të ardhurat familjare.

Agroturizmi, një mundësi fitimprurëse për gratë e Belshit

Eksperienca e bletërritëseve të Shpatit është spostuar tashmë në një tjetër fushë në Belsh të Elbasanit. Bujqësia mban vendin e parë për punësim në Belsh. Një popullsi që sipas censusit ka zbritur në 19500 mijë banorë gati në 66% mbahet nga bujqësia ndërsa si kontribues sërish zë vendin e parë me rreth 80% të të punësuarve. Nisur nga të dhënat Belshi ka marrë vëmendjen e UN Women për fuqizimin ekonomik nëpërmjet vetëpunësimit të grave dhe vajzave në bashkinë Belsh, përmes krijimit të klasterit të agro-turizmit. Gratë nuk paguhen për punën e tyrë në 85% të

rasteve dhe pse njihen si kontribueset më tëmëdha në familje. Vetëm 7.1% e frmave drejtohen nga femrat dhe shifrat e punësimit për to në zonat rurale janë shqetësuese. Vetëm 25 % janë të punësuara kundrejt 51% të meshkujve.

Kllasteri i Belshit erdhi nga një studim i kryer mbi aktivitetin e grave rurale në Shqipëri. Pavarësisht se pjesa e fermave familjare në pronësi të grave është shumë e vogël, shumica e grave rurale janë "menaxhere të fshehura të fermës", sipas studimit të parë mbi gratë ruale në Shqipëri zhvilluar nga UN women me mbeshtetjen financiare te qeverise se Suedisë. Të dhënat tregojnë se gratë janë më të angazhuara në aktivitetet e fermës dhe kryejnë pjesën më të madhe të aktiviteteve të rëndësishme bujqësore dhe blegtorale. Studimi i Ministrise se Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe UN Women, “Situata e gruas dhe diversifikimi ekonomik në zonat rurale të Shqipërisë", ofron evidenca të pabarazisë gjinore në zonat rurale dhe bën thirrje për mbështetje të grave në fushat e sipërmarrjes, të drejtave mbi tokën, pjesëmarrjes në tregun e punës, angazhimit dhe kontributit në bujqësi dhe jashtë saj si dhe akses në edukim profesional dhe këshillim.

Studimi është shtrirë në 24 fshatra në mbarë vendin ku janë intervistuar 1017 gra dhe 309 burra në zonat rurale, përfshirë ekspertë dhe grupe të grave prodhuese. Qëllimi i tij është të studiojë gjendjen socio-ekonomike të grave në zonat rurale të Shqipërisë dhe te ofrojë rekomandime konkrete që mund të përmirësojnë situatën e gruas në fshat.

Studimi nxjerr në pah një pjesëmarrje shumë të ulët të grave dhe vajzave në tregun e punës dhe programet e trajnimit, kjo për shkak të kohës së papërshtatshme, distancës dhe mënyrës se si organizohen programet e trajnimit. Gjithashtu gratë në zonat rurale kanë akses të ulët ndaj mbështetjes financiare të shtetit ose nga donatorët. Shifrat zyrtare tregojnë se numri i grave përfituese është 5 herë më i ulët se burrat. Sipas studimit mungesa e rrjeteve dhe advokimit të grupeve të grave dhe zotërimi i kanaleve të infromacionit nga burrat kanë ulur aksesin e grave ndaj mbështetjes financiare.

Studimi rekomandon se nevojitet zgjerim i shërbimeve të posaçme si mbështetje financiare, këshillim ligjor dhe rritje kapacitetesh sipërmarrëse për të arritur fuqizim ekonomik të grave dhe lehtësim i pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje duke i përfshirë ato si fermere e jo si “gra të fermerëve”. Ndërsa proceset me pjesëmarrje janë të nevojshme për të krijuar antena sociale për të përçuar informacionin tek gratë dhe vajzat në nivel lokal.

Komuniteti vlerëson qeverisjen lokale

Banorët e një komuniteti të caktuar vlerësojnë, kritikojnë dhe kërkojnë përmirësimin e qeverisjes së tyre. Një instrument mjaft interesant është përdorur nga disa organizata të mbështetura nga UN Women e USAID nën financimin e qeverisë suedeze është përdorur në disa bashki për të matur nivelin e qeverisjes lokale. Prej vitit 2015, Projekti i USAID për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore (PLGP) dhe UN Women, në bashkëpunim me organizata të shoqërisë civile dhe Komisionet Këshillimore Qytetare Vendore (KKQV) kanë ndërmarrë projektin e Vlerësimit

të Komunitetit për Qeverisjen (VKQ) në 10 nga bashkitë më të mëdha në vend. Në pritje të reformës dhe zgjedhjeve vendore të vitit 2015, ky vlerësim u zbatua në bashkitë e Elbasanit, Beratit, Kamzës dhe Vlorës, ku gjetjet dhe rekomandimet e qytetarëve gra dhe burra u prezantuan dhe u përfshinë në axhendat dhe programet e kandidatëve për kryetarë bashkie. Këtë vit, VKQ u zbatua në gjashtë bashki të reja: Fier, Gjirokastër, Kuçovë, Korçë, Lushnjë dhe Shkodër. Vlerësimi i Komunitetit për Qeverisjen përfshin aspekte kryesore të qeverisjes vendore, të tilla si: cilësia dhe efiçenca e shërbimeve publike, qeverisja e mirë dhe demokracia lokale, zhvillimi ekonomik dhe të drejtat e njeriut në nivel vendor.

Përmes vjeljes së opinioneve të qytetarëve në identifikimin dhe përcaktimin e prioriteteve lokale, ky vlerësim synon të krijojë dhe promovojë mekanizma qytetare në funksion të përmirësimit të demokracisë lokale. Procesi i vlerësimit mundëson monitorimin dhe vlerësimin e performancës së administatës lokale, paralelisht me ndërtimin e urave të dialogut, ndërveprimit dhe bashkëpunimit në nivel vendor.

Vlerësimi i komunitetit për qeverisjen është një qasje dhe mundësi e mirë që bashkitë të kuptojnë nevojat dhe përparësitë e qytetarëve. Harmonizimi dhe përfshirja e rezultateve të vlerësimit të komunitetit në programet vendore, si dhe përpjekja për të influencuar në hartimin e politikave vendore, janë një tregues pozitiv i demokracisë në veprim. Kombinimi i metodologjise se VKQ me aktorë kyç lokalë, të tillë si Komisionet Këshillimore Qytetare dhe organizata të shoqërisë civile kanë mundësuar zbatimin me sukses të këtij procesi.

Veç mundësisë që i jep komunitetit për tu shprehur për qeverisjen, ky proces i jep mundësinë autoriteteve vendore të njohin më mirë nevojat dhe prioritetet, të rrisin kapacitetet e tyre, transparencën në qeverisje dhe të përmirësojnë cilësinë dhe përshtatshmërinë e shërbimeve që i ofrojnë komunitetit.

Nënkryetarja e Bashkisë Korçë Benila Terova pasi u njoh me rezultatet, vlerësoi procesin si një mundësi e mirë për të marr mendimin e qytetarëve dhe si një formë e mirë për të rritur bashkëpunimin dhe dialogun me ta në të ardhmen. Rekomandimet do të merren parasysh ne hartimin e buxhetit të vitit pasardhës, si dhe do të bëhen pjesë e Planit Strategjik të Territorit që është në proces hartimi u shpreh ajo. Ndërkohë i njëjti prezantim është bërë edhe në bashkitë e tjera të vendit ku drejtuesit vendorë janë njohur me vlerësimin e komunitetit dhe janë njohur me pikat e forta dhe të dobta të qeverisjes si një mundësi për ti përmirësuar në vazhdim.

Ndërkohë në bashkinë Korçë është nënshkruar edhe një marrëveshje për Aleancën e Grave Këshilltare duke nisur kështu një tjetër strukturë për nisma dhe kërkesa në dobi të komunitetit dhe veçanërisht ato gjinore.

gra
gra

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Efektivi bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet

Efektivi bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet