ELBASAN - Gjykata e Elbasanit dha sot masën e arrestit për Agron Hasanit i cili dyshohet se është autori i vrasjes së bashkëshortes së tij me thikë Vergjinush Hasani. Caktimi i masës së sigurisë është dhënë sot në orën 12:30 dhe ajo ka qenë burg paafat, të cilën e ka kërkuar prokurorja Entela Millonai duke e cilësuar si të ligjshëm arrestim e Agron Hasanit 62 vjeç. Gjykata e Elbasanit e kryesuar nga gjyqtari Bujar Musta la në fuqi të njëjtën kërkesë që bëri akuza, pra burg pa afat.

Sipas disa rrëfimeve të personave që banonin pranë shtëpisë së çifti Hasani mësojmë në lidhje me këtë ngjarje se konflikti kishte nisur 3 ditë më parë, në tregun ku shiste 43-vjeçarja Vergjinush Hasani. Sipas dëshmitarëve që ishin atë ditë në treg, debati ka nisur mes të ëmës dhe djalit të saj Lisit, i cili e akuzonte për tradhti dhe e kërcënonte se do ta digjte me benzinë nëse do të shoqërohej përsëri me burra të tjerë. Më pas 43-vjeçarja ka marrë në telefon të dashurin e saj, i cili kërcënonte me pistoletë se do të vriste djalin e saj Lisin.

Ndërkohë që pas vrasjes së 43-vjeçares nga bashkëshorti i saj Agron Hasani 62 vjeç, i biri Lisi reagon duke thënë se i ati është i pafajshëm pasi ai e bëri vrasjen se donte të mbronte atë, duke qenë se ishte mërzitur gjatë gjithë kohës nga tradhtitë e gruas me meshkuj të tjerë.

(eç/shqiptarja.com)