GRAMSH - PD e Gramshit festoi dje 22 vjetorin e themelimit të saj. Të pranishëm ishin kreu i grupit të punës për Qarkun e Elbasanit Arben Imami, numri dy i Kuvendit Turku, deputetët Hida e Sula, drejtues dhe themelues të PD në Gramsh.

Imami kujtoi se “ajo ditë e marsit e vitit 1991 është e pashlyeshme nga kujtimet e mia. Ajo që bënë djemtë, vajzat, burrat e Gramshit ishte tregues i një sensi burrërie, një sensi lirie të pakrahasueshëm. Ajo që ndodhi në Gramsh vijoi ai ishte e paimagjinueshme.

Sot, Gramshi është një tjetër vend”. Imami nënvizoi se duhet menduar për politika afatgjata të investimeve, ndërkohë që shprehu garancinë që dhe Gramshi do jetë fitimtar me PD e koalicionin e saj.

“Ne jemi fitimtar në Peqin, në Belsh, do vijojmë në Cërrik e Sulovë, në Gramsh e gjithë Qarkun e Elbasanit”, tha Imami, duke u fokusuar në tre investime madhore që do ndryshojnë jetën e banorëve të Gramshit që janë rruga Tiranë-Elbasan, rruga Gramsh-Banjë, që do afrojë Gramshin me Tiranën e HEC-i i Banjës, si pjesë e kaskadës së Devollit, një investim ky, prej 1 miliard euro. “Të punojmë për një mandat të tretë që vizioni i Shqipërisë evropiane të mos bllokohet nga ish bllokmenët”, përfundoi Imami.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)