Një 63-vjeçar është arrestuar nga policia në Cërrik, i dënuar me 4 vite burg për armëmbajtje pa leje dhe prodhim dhe shitje lëndësh narkotike. Policia thotë se Aqif Bezati ishte në arrest shtëpie, por Gjykata e Apelit në Tiranë e dënoi atë më datë 20 nëntor me 4 vite burg për këto dy vepra penale.
Sipas policisë, atij i kanë mbetur për të kryer edhe 7 muaj dhe 10 ditë burg.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik vunë në pranga shtetasin Aqif Bezati, 63 vjeç, i cili ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi”, pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin e datës 20.11.2025, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, nga të cilat i kanë mbetur pa kryer edhe 7 muaj e 10 ditë burgim.", njofton policia.
Aqif Bezati është i njohur edhe për lidhjet e tij me Talo Çelën. Në tetor të vitit 2022, ai u arrestua nën dyshimin se strehonte të shumëkërkuarin Çela në një prej pronave të tij. Kur policia ndërhyri në banesën në fshatin Deshiran të Belshit, nuk u gjet asnjë gjurmë e Çelës por vetëm sasi e madhe parash, arsenal armësh dhe kanabis.
Policia njoftoi asokohe se atij iu gjetën në banesë: një armë zjarri kallashnikov, një pistoletë, 6 granata dore, 3280 fishekë pistoletë dhe kallashnikovi, 5 krehra fishekësh, 3.6 kilogramë kanabis, 75 bimë të thata të dyshuara opium, 3.760.000 lekë të rinj, 5000 paund dhe 8950 euro, të cilat dyshohet se i kishte përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve dhe të trafikimit të armëve.
Komente











