Kryebashkiaku Gledian Llatja gjatë një prononcimi për mediat sot në lidhje me shpërthimin në pallatin në Elbasan tha se banorët që nuk kanë mundësi të qëndrojnë te të afërmit janë akomoduar në konviktin e qytetit, ku u janë siguruar edhe ushqimet. Sipas tij, Bashkia do të vijojë t’u garantojë strehim deri në përfundimin e procedurave ligjore dhe marrjen e masave sipas ligjit për emergjencat civile.
Gjatë ditës së djeshme është punuar në terren nga forcat e Emergjencave Civile, fillimisht për evakuimin e banorëve dhe shuarjen e zjarrit, e më pas për menaxhimin e situatës. U bë e mundur nxjerrja e trupave të dy personave nga godina e dëmtuar. Shpërthimi ka qenë shumë i fortë dhe ka shkaktuar dëmtime të theksuara strukturore. Për këtë arsye, na është dashur ndërhyrja sot e strukturave të Institutit të Ndërtimit për të kryer një ekspertizë më të specializuar. Gjatë natës së kaluar, grupi i kërkim-shpëtimit ndërhyri për nxjerrjen dhe evidentimin e trupit të të ndjerit. Aktualisht, situata paraqitet ende problematike nga pikëpamja strukturore, me rrezik për shembjen e katit të pestë, gjë që mund të shkaktojë dëmtime të mëtejshme në strukturat ngjitur apo edhe në vetë pallatin. I gjithë objekti nuk është ende i sigurt për strehimin e banorëve apo për të lejuar lëvizje të shumta brenda tij.
Që mbrëmjen e kaluar janë marrë masa për akomodimin e të gjithë personave që nuk kishin mundësi të strehoheshin. Ata janë sistemuar në konviktin e qytetit të Elbasanit, ku u janë siguruar edhe ushqimet përkatëse. Një pjesë e madhe e banorëve kanë dalë nga banesat vetëm me rrobat e trupit. Disa prej tyre kanë qëndruar te të afërmit, ndërsa të tjerë janë akomoduar në strukturat tona të strehimit. Do të vijojmë t’i strehojmë në ambientet e Bashkisë së Elbasanit deri në përfundimin e procedurave ligjore. Menjëherë pas përfundimit të raporteve përkatëse nga strukturat ligjore, Bashkia e Elbasanit do të marrë masat sipas parashikimeve të ligjit për emergjencat civile”, tha ai.
Për punën e shërbimit zjarrfikës, Llatja tha se zjarrfikësja e Elbasanit ka qenë dhe mbetet një nga shërbimet zjarrfikëse më të pajisura në Shqipëri.
“Zjarrfikësja e Elbasanit ka qenë dhe mbetet një nga shërbimet zjarrfikëse më të pajisura në Shqipëri. Ne e kemi pajisur me mjete të reja, përfshirë shkallën përkatëse, autoshkallën zjarrfikëse, si dhe koshin që vjen në ndihmë të Emergjencave Civile. Pajisjet janë të gjitha të reja. Dy automjetet kanë qenë plotësisht funksionale dhe profesionale. Edhe katër mjetet e tjera që struktura jonë ka pasur në dispozicion janë brenda të gjithë parametrave dhe në funksion të plotë. Është e vërtetë që në rrjetet sociale ka pasur një deklaratë lidhur me kushtet e zjarrfikëses së Elbasanit, por ajo i plotëson të gjitha parametrat. Momentet e ndërhyrjes në zjarr nga strukturat përkatëse, pra nga zjarrfikësi, personeli që drejton procesin e shuarjes së zjarrit dhe personi që komandon pompën e automjetit zjarrfikës, janë dy procese të ndryshme. Në momentin që zjarrfikësi njofton se është pozicionuar për të luftuar zjarrin, jep sinjalin për hapjen e ujit dhe vendosjen e presionit të përcaktuar nga sistemi i pompës. Kjo është e domosdoshme, pasi në të kundërt mund të rrezikohet edhe vetë zjarrfikësi nga presioni i ujit në sistemin e fikjes së zjarrit” shtoi ai.
Lajmi kryesor:
Zbardhet shkaku i tragjedisë me dy të vdekur në Elbasan! 69-vjeçari kishte vendosur tubat e gazit në murin e pallatit! Objekti do të shembet (VIDEO)










