ELBASAN- Banorët e Komunës së Stëblevës, por dhe turistët vendas e të huaj që zgjedhin për të vizituar këtë zonë, hasin probleme të ndryshme. Mungesa e infrastrukturës së përshtatshme, bëhet shkak për mungesën e zhvillimit të turizmit në këtë zonë.

Mijëra banorë të komunës së Stëblevës, në Elbasan, por edhe të ardhur nga rrethet e tjera janë mbledhur dje, për të festuar festën e “Shën Gjergjit”, një festë pagane që simbolizon fillimin e riprodhimit bujqësor në këtë zonë malore dhe përfundimin e dimrit. Të tilla festa kanë si qëllim edhe promovimin e zhvillimit të turizmit.

Në këtë zonë, turizmi është në fazat e para të zhvillimit. Vizitorët janë të paktë dhe janë të vetëorganizuar. Komuna e Stëblevës, përveç vlerave turistike, ka edhe pasuri kulturore e tradita të hershme, si dhe monumente natyrore të shpallura, që mund të vizitohen nga turistët, studiuesit, etj.

Por, problem për mos zhvillimin e turizmit mbetet infrastruktura që lë për të dëshiruar.

Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla, u shpreh se “bukuritë dhe resurset që ka kjo zonë duhet të promovohen më shumë nga kjo qeveri dhe jo të lihen në harresë nga institucionet përkatëse”.

Ndërsa kryetari komunës së Stëblevës, Alban Fejzo, theksoi se “mungesa e fondeve nga qeveria e ka lënë zonën e Stëblevës pa një turizëm të mirëfilltë”

Ndërkaq, kryetari i shoqatës Stëblevës, i bëri thirrje të gjithë banorëve të larguar në vite në drejtim të Tiranës dhe Durrësit të kthehen në vendin e tyre dhe të investojnë për rigjallërimin e zonës.

Për drejtorin e Zhvillimit në Qarkun e Elbasan, Lulzim Shahini, “kjo festë e rigjallëron këtë zonë, ku ai vë në dukje edhe interesin e shtetit për zhvillimin e zonës në investimet në aksin rrugor Librazhd –Fushë Student, i cili do të rrisë interesin e turistëve vendas dhe të huaj për këtë zonë”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)