Bashkia e Elbasanit ka nisur të zbatojë projektin e Ministrisë së Zhvillimit Urban për rikonstruksionin dhe ndërtimin e 25 banesave per komunitetin rom në qytet.
Burime nga bashkia bëjnë të ditur se "me akordimin e një fondi prej 25 milion lekëve nga ana e ministrisë, menjëherë nisi zbatimi i investimit të këtyre 25 banesave në lagjet "Rrapishtë", "Beqir Dardha" si dhe tek " Stacioni i Trenit", tre zona ku ka edhe shumicë të këtij komuniteti.
Mësohet se 25 familjet kishin nevojë për ndërhyrje nga ana e shtetit, pasi ato jetonin në kushte tejet të rënda me baraka, si dhe në banesa tejet të amortizuara. Tashmë në këto banesa të përzgjedhura nga ana e bashkisë ka nisur rikonstruksioni, ndërsa nuk përjashtohet edhe ndërtimi i banesave të reja për shkak të amortizimit total të atyre ekzistuese. Paralel me këtë investim kanë nisur punimet edhe për rikonstruksionin e një rruge në një nga këto lagje, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës.
Projekti i Ministrisë së Zhvillimit Urban është mirëpritur nga familjet e këtij komuniteti, të cilat kishin shumë vite që kërkonin ndërhyrjen e shtetit, pasi ato vetë nuk kishin mundësi të ndërtonin banesat e tyre. /atsh/