Fenomeni klimatik El Niño, konfliktet e armatosura dhe rënia e financimeve humanitare pritet të përkeqësojnë krizën globale të urisë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Paralajmërimi vjen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) dhe Programi Botëror i Ushqimit (WFP), të cilat kanë identifikuar 16 zona problematike në mbarë botën ku pasiguria akute ushqimore pritet të përkeqësohet ndjeshëm gjatë periudhës dhjetor 2026 – maj 2027.

Në vlerësimin e publikuar të premten, agjencitë bëjnë të ditur se numri i zonave me rrezik të lartë është rritur nga 13 në raportin e muajit qershor. Afrika Jugore, Korridori i Thatë i Amerikës Qendrore dhe verilindja e Ugandës janë përfshirë rishtazi në listë, ndërsa Çadi është shtuar për shkak të pasojave që konflikti në Sudanin fqinj po shkakton në rajon.

Pesë zonat me shqetësimin më të madh mbeten Sudani, Sudani i Jugut, Somalia, disa pjesë të Nigerisë dhe Jemeni. Konfliktet dhe dhuna e armatosur janë identifikuar si faktorët kryesorë që nxisin pasigurinë ushqimore në 12 nga 16 zonat problematike, duke vështirësuar furnizimin me ushqime dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Situata është veçanërisht alarmante në Sudan, ku FAO dhe WFP paralajmërojnë për rrezikun e një zie buke në 13 zona të Darfurit të Veriut dhe Kordofanit të Jugut deri në janar 2027. Ndërkohë, në Afrikën Jugore, thatësira dhe temperaturat e larta, të lidhura me fenomenin El Niño, kërcënojnë prodhimin bujqësor dhe sigurinë ushqimore të miliona banorëve.

Sipas parashikimeve, deri në 3 milionë njerëz në Zimbabve, 2.6 milionë në Malavi dhe 1.8 milionë në Mozambik mund të përballen me nivele të larta të pasigurisë akute ushqimore në muajt e ardhshëm.

Shqetësim i madh mbetet edhe rënia e financimeve humanitare. Sipas agjencive të OKB-së, fondet për sigurinë ushqimore dhe ushqyerjen në pesë zonat me rrezikun më të lartë kanë rënë me 62% gjatë periudhës 2022–2025, nga 5.1 miliardë dollarë në vetëm 2 miliardë dollarë.

Përballë kësaj situate, FAO dhe WFP kanë kërkuar ndihmë urgjente humanitare dhe garantimin e aksesit të sigurt te popullsitë e prekura. Agjencitë kanë bërë gjithashtu të ditur se plani i tyre i përbashkët për veprime paraprake synon të mbrojë rreth 9 milionë njerëz në 22 vende nga pasojat e mundshme të fenomenit El Niño.

Sipas paralajmërimit të OKB-së, muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për të parandaluar përkeqësimin e krizës dhe për të shmangur skenarët më të rëndë humanitarë në zonat më të prekura të botës.