ELBASAN - Në Elbasan ka nisur rikonstruksioni i pjesshëm i përroit të Zaranikës. Ky rikonstruksion kryhet në pjesën veriore të qytetit të Elbasanit duke bërë të mundur edhe sistemimin e pjesës më të dëmtuar dhe më të rrezikshme sepse kalon shumë pranë shtëpive të banuara.

E vetmja mënyre për të ulur rrezikshmërinë e përroit të Zaranikës është forcimi i argjinaturës përkatëse me beton special dhe me prita që janë vendosur çdo 500 metra gjatë gjithë përroit, deri në gryg-derdhjen pranë lumit Shkumbin. Prurjet e shumta që pati përroi i Zaranikës në muajt Shkurt-Mars të këtij viti, arritën të shembin pjesën ballore të argjinaturës, gjë që për pak desh u kthye në një tragjedi me përmasa katastrofike pasi shumë shtëpi ndodhen përgjatë rrjedhjes së tij.

Drejtori i Bordit të Kullimit në Elbasan, Kushtim Aliaj, theksoi se “është dhënë një fond prej 450 milionë lekë të vjetra nga Buxheti i Shtetit dhe administrohet nga Ministria e Bujqësisë ku janë prokuruar vetëm për këtë vit 280 milion leke të vjetra ndërsa pjesa e mbetur e parave do të prokurohet në vitin 2013. Me këto riparime mendoj se përroi i Zaranikës nuk do të ketë problem edhe pse ka 40 vite që është ndërtuar”.

(an.qo/shqiptarja.com)