Elbasan- OSBE, diskutim për dhunën në familje me deputetët e Kuvendit

TIRANË- Në qytetin e Elbasanit u zhvlllua sot pasdite një forum me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë në kuadër të fushatës së inicuar nga Prezenca e OSBE-së, kundër dhunës në familje.
Deputetët thanë se ata janë të gjithë bashkë, pavarësisht dallimeve partiake, kur është çështja për të luftuar një plagë të tillë si dhuna në familje, e cila trondit themelet e të drejtave të njeriut. Nënkryetari i Prezencës, Robert Wilton, i cili hapi takimin, tha se "dhuna në familje është një çështje serioze dhe gjithëpërfshirëse".
Po ashtu, pjesë e debatit u bënë edhe pyetjet e gjimnazistëve dhe qytetarëve të Elbasanit, ku iu përgjigjën deputetet Mesila Doda (Kryetare e Aleancës së Grave), Olta Xhaçka (kryetare e nënkomisionit për Çështjet e të Miturve, Barazinë Gjinore dhe Dhunën në Familje), Klodiana Spahiu (anëtare e nënkomisionit), si dhe deputetët e Elbasanit Ardian Turku, Evis Kushi dhe Bujar Kllogjeri (gjithashtu anëtar i nënkomisionit).
"Ditët kundër dhunës në familje" organizohen nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në partneritet me Bashkinë e Elbasanit dhe Policinë e Shtetit dhe me mbështetjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Mbështetjes Suedeze për Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit për Policimin në Komunitet dhe të Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim.
Veprimtaria përmbyllëse e fushatës në Elbasan do të zhvillohet nesër në orën 9:30, në tendën e fushatës në sheshin "Genscher". Të pranishëm do të jenë zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së Robert Wilton, kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini dhe Drejtori i Policisë së Elbasanit, Neritan Nallbati. /ATSH/
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?