ELBASAN- Policia e Elbasanit ka njoftuar ditën e sotme se ka vënë në pranga 7 persona për vepra të ndryshme penale.

Blutë e Elbasanit sqarojnë se në pranga është vënë R. V., 77 vjeç, banues në fshatin Stravaj, Përrenjas, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e tij, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pistoletë dhe 7 fishekë.

Janë arrestuar nga policia S. B., 25 vjeç dhe F. Q. 21 vjeç, të dy banues në fshatin Mjekës, pasi në një magazinë u kapën duke vjedhur pjesë metalike të një makinerie, të cilat u sekuestruan së bashku me mjetin tip Seat, me të cilin do të bënin transportimin e tyre.

Në pranga nga policia e Elbasanit është vënë edhe Xh. Gj., 39 vjeç, pasi në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur e kanosur me fjalë, si dhe i ka thyer xhamat e lokalit një shtetaseje 30-vjeçare.

Një 61-vjeçar me iniciale N. B., si dhe I. K., 28 vjeç, janë arrestuar nga policia, pasi janë konstatuar duke drejtuar motoçikletat e tyre pa leje drejtimi.

Po ashtu, gjatë 24 orëve të fundit, i arrestuar nga policia e Elbasanit është edhe 24-vjeçar, pasi i janë gjetur 2 doza lëndë narkotike, e dyshuar e llojit Cannabis Sativa.