ELBASAN - Një 43-vjeçar nga qyteti i Elbasanit është qëlluar me thikë nga krushku i tij, ndërsa ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.

Arben Qosja është përfshirë në një konflikt verbal më krushkun e tij, Sokol Cocja, ndërsa ky i fundit në debat e sipër e ka goditur tre herë me thikë në kraharor 43-vjeçarin dhe ka plagosur lehtë të ëmën e tij.

I plagosuri është dërguar me urgjence drejt spitalit rajonal të Elbasanit, ndërsa mësohet se gjendja e tij shëndetësore paraqitet e rëndë për shkak të një plagë pranë zemrës.

Agresori fillimisht u largua nga vendi i ngjarjes dhe vetëm pak orë më vonë ra në prangat e policisë së Elbasanit.

Paraprakisht mësohet se shkak i debatit që çoi deri në përdorimin e armëve të ftohta lidhet me një konflikt të vjetër për çështje pronësie mes dy familjeve. Blutë e Elbasanit po hetojnë për zbardhjen e rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)