ELBASAN - Rikthehet tradita e të vrapuarit në natyrë në Elbasan. Me ardhjen e stinës së pranverës dhe me ngritjen e temperaturës, në qytetin e Elbasanit është rikthyer tradita e dikurshme e ushtrimeve gjimnastikore në parkun “Rinia”.

Kategoritë e të gjitha moshave si, pleq, të rinj, por edhe njerëz, që kanë probleme me shëndetin e tyre zgjedhin parkun “Rinia” si të vetmen kurorë të gjelbër, që ka qyteti i Elbasanit.

Pavarësisht se ndotja në Elbasan është mbi normat e lejuara nga Bashkimi Europian, asgjë nuk është bërë në shtimin e hapësirave të tjera të gjelbra, duke e kthyer qytetin e Elbasanit si qytetin më të ndotur në Shqipëri.

Masivizimi i të vrapuarit në natyre ndihmon në mbajtjen e trupit në formë dhe djegien e kalorive të teprta, që ka trupi i njeriut.

“Dal cdo mëngjes nga parku Rinia sepse dua të mbaj trupin në formë”, shprehet një e moshuar e cila gjen mundësinë, që t’i bëjë apel të rinjve përpara mikrofonit tonë që, “duhet t’a ushtrojnë sa më shumë vrapimin dhe ecjen në ajër të pastër për të rinjtë sesa të rrinë të mbyllur brenda shtëpisë dhe përpara kompjuterit”!

Arsyeja, që kohët e fundit është rikthyer tradita të vrapuarit në natyrë është se, shumica e njerëzve nuk kanë mundësi të shkojnë në palestra dhe qendra të tjera stërvitore, ku pengesë janë cmimet e larta, që duhet të paguajnë, por edhe koha e limituar, që kanë në dispozicion.

(ad.ti/shqiptarja.com)