Një shofer furgoni ka rënë në prangat e Policisë në Elbasan, pasi drejtonte automjetin në gjendje të dehur.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se personi i arrestuar është Sazan Gjolena, i cili me forgonin e tij tip ‘Benz Sprinter’ kryente transportin e nxënësve të gjimnazit Sami Frashëri.

Policia njofton po ashtu se ndalimi i Sazan Gjolenës u bë pas një telefonate të mbërritur në Komisariat nga një qytetar, i cili denoncoi rastin.

Pas testit të alkoolit, rezultoi se Gjolena kishte konsumuar alkool. Dy teste rezultuan në masën 0.68 mg/l dhe 0.67 mg/l.

Pas shoqërimit në komisariat të Sazan Gjolenës, Policia mori masa për të bërë të mundur transportin e fëmijëve me një mjet tjetër të transportit publik të pasagjerëve.

Njoftimi i Policisë:

Sot, më datë 05.05.2026, në bazë të telefonatës së dhënë nga qytetari në sallën operative Cërrik, Posta Belsh, se shtetasi Sazan Gjolena, me mjetin tip “Benz Sprinter” me targa AA198FR, i cili kryen transportin e pasagjerëve dhe të nxënësve të Gjimnazit “Sami Frashëri”, drejton mjetin nën ndikimin e alkoolit, menjëherë e vlerësuam telefonatën e qytetarit dhe morëm masat e duhura, së bashku me patrullën e Postës Belsh të Komisariatit Cërrik, ku u bë e mundur konstatimi dhe ndalimi i mjetit tip “Benz Sprinter” me targa AA198FR, me drejtues shtetasin Sazan Jashar Gjolena, i datëlindjes 20.07.1972, banues në Gjolene, Bashkia Belsh, me drejtim lëvizjeje Belsh–Gjolene.

Në mjet ndodheshin 13 pasagjerë, nxënës të gjimnazit. Pas verifikimit të dokumentacionit, i kryem testin e alkoolit me dy prova: prova e parë rezultoi në masën 0.68 mg/l dhe prova e dytë rezultoi në masën 0.67 mg/l.

Menjëherë bëmë shoqërimin e drejtuesit të mjetit, i cili rezultoi në gjendje të dehur, për në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Morëm masa për të bërë të mundur transportin e fëmijëve me një mjet tjetër të transportit publik të pasagjerëve.