Dy të mitur humbën jetën e një tjetër përfundoi në spital me plagë të rënda pasi u përplasën nga një automjet që drejtohej nga Nikoll Radaçi, i cili ishte i dehur. 57-vjeçari ka dalë sot përpara Gjykatës së Durrësit ku i është caktuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’ për veprat penale ‘Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen’, ‘Drejtimi i mjetit në gjendje të parregullt’ dhe ‘Largimi nga vendi i ngjarjes’.
Në seancë Nikoll Radaçi qëndroi brenda kafazit të qelqtë, nuk foli asnjë fjalë ndërsa kokën e mbante të ulur. Asnjë familjar i tij nuk ishte prezent. Avokatja mbrojtëse e caktuar nga shteti, Arta Gecaj tha se 57-vjeçari është në gjendje të rënduar emocionale dhe se ka shprehur pendesë.
“Nga prokuroria ka ardhur me 3 akuza. I pandehuri nuk foli fare, dukej në gjendje të rënduar psikologjike. Isha e ftuar nga shteti për të realizuar mbrojtjen pasi nuk kishte një avokat të zgjedhur. Akuzat janë Shkelje të rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen, drejtimi i mjetit në gjendje të parregullt, largimi nga vendi i aksidentit. Ka shprehur pendesë”, tha avokatja mbrojtëse Arta Gecaj.
Ngjarja e rëndë u regjistrua mesditën e 3 majit në lagjen nr.15 të Durrësit. 3 fëmijë ishin duke luajtur me top në trotuar teksa Radaçi, i cili po ngiste makinën në gjendje të dehur, i mori përpara me shpejtësi skëterrë. 2 prej tyre, Enea Muçaj, 12 vjeç dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç ndërruan jetë, ndërsa fëmija tjetër 8 vjeç, arriti të mbijetojë, por me plagë të rënda.
Policia rezulton se ka falur shoferin problematik 4 vite më parë, kur iu pezullua patenta vetëm me 1 muaj për tejkalim shpejtësie, ndërsa sipas Kodit Rrugor duhej t’i ishte hequr të paktën 8 muaj. E njëjta shkelje është kryer prej tij brenda 1 viti, ndërsa ndëshkimi ishte po i njëjti.
Pas këtij rasti, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë kanë bërë thirrje për ndryshim të Kodit Rrugor dhe atij Penal. Deputeti Erion Braçe tha se ngjarje të tilla duhen konsideruar si vrasje, ndërsa deputetja Ina Zhupa u shpreh se Kuvendi ka dështuar në prodhimin e ligjeve për t’i shërbyer qytetarëve.
Lajmi në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Tragjedia e rëndë në ish-Kënetë të Durrësit ka vënë në lëvizje Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, e cila tashmë po heton me imtësi nëse vdekja e dy të miturve erdhi si pasojë e neglizhencës së drejtpërdrejtë të uniformave blu.
Ndërkohë që banorët e ish-Kënetës deklarojnë të revoltuar se sinjalizimet e tyre për mjetet që fluturonin në rrugë u injoruan vazhdimisht, AMP po verifikon të gjithë denoncimet dhe reagimet zyrtare. Hetimi synon të zbulojë nëse pas aksidentit tragjik të shkaktuar nga Nikoll Radaçi fshihet një zinxhir shkeljesh të detyrës që nis nga efektivi i patrullës e deri te drejtuesit më të lartë.
Si reagim i parë ndaj kësaj situate të rëndë, kryepolici Skënder Hita mori masën e pezullimit të të gjithë zinxhirit komandues të Policisë së Durrësit.
Report Tv siguron pamje nga Nikoll Radaçi, shoferi që përplasi për vdekje 2 miturit në Durrës. Radaçi ka dalë sot përpara gjykatës ku do të njihet me masën e sigurisë. 57-vjeçari ndodhet brenda në kafazin e qelqtë dhe qëndron me kokën të ulur.
Komente









