Në momentin kur mjeti i 35-vjeçarit ka prekur ngarkesën më skrap aty ndodhej një granatë luftarake, e cila ka shpërthyer menjëherë, duke i marrë jetën babait të dy fëmijëve. Sipas punëtorëve, Gjergji Bodurri kishte 6 muaj që kishte filluar punë pranë firmës turke “Kurum” dhe nuk ishte i siguruar.
Po sipas punëtorëve të kompanisë ka pasur edhe shumë raste të tjera, kur kanë ndeshur me lëndë luftarake të paplasura dhe kjo situatë sipas punëtorëve duhet të marrë fund njëherë e mirë. Frika se mos i heqin nga puna i detyron punëtorët të heshtin dhe të mos flasin edhe për raste të tjera me pasoja më të lehta.
Kohët e fundit në fabrikën turke “Kurum” kishte ardhur një ngarkesë nga baza të ndryshme ushtarake të vendit tonë për t’u shkrirë në furrat e çelikut të Kurum-it.
Trupi i Gjergji Bodurrit ndodhet në morgun e qytetit të Elbasanit nga ku po bëhet edhe autopsia e plotë e 35-vjeçarit.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe nuk jep detaje, por mjaftohet me faktin, që vdekja e 35-vjeçarit ka ardhur nga shpërthimi i një granate luftarake.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)