ELBASAN Kabllot elektrike në lagjen “Partizan” në qytetin e Elbasanit, janë grabitur gjatë orëve të mesnatës, duke lënë pa energji banorët e zonës. Persona të paidentifikuar kanë mundur të shkëpusin kabllot e tensionit të lartë, ndërsa kanë qenë banorët e zonës ata që kanë njoftuar policinë për këtë ngjarje.

Vjedhja e kabllove elektrike ka lënë pa energji elektrike banorët e kësaj lagjeje dhe disa fshatra në pjesën juglindorë të këtij rrethi. Ata i bëjnë apel kompanisë çeke energjetike CEZ-Shpërndarja që operon në Shqipëri për rikthimin e energjisë elektrike.

Banorët jashtë kamerës shprehen se vjedhjet e kabllove elektrike janë shtuar shumë gjatë ditëve të fundit, ndërkohë që theksojnë se ende nuk janë marrë masa për rikthimin e energjisë elektrike nga ana e CEZ.

Blutë e Elbasanit kanë mbërritur në vendngjarje dhe pasi kanë bërë përllogaritjen e dëmeve, po punojnë për identifikimin e autorëve të ngjarjes.

(Gre.M/Shqiptarja.com)