Një stuhi e fortë ka goditur pasditen e sotme Elbasanin, si edhe disa bashki të tjera të qarkut, duke shkaktuar probleme të shumta në qytet brenda pak minutash.

Erërat e forta, të shoqëruara me reshje intensive shiu, kanë shkaktuar dëme në disa zona të qytetit.

Si pasojë e motit të keq, kontenierë të mbetjeve janë zhvendosur në rrugë, disa pemë janë thyer nga era, ndërsa karrige dhe objekte të tjera kanë përfunduar në akset rrugore.

Raportohet gjithashtu se në disa rrugë të Elbasanit niveli i ujit është rritur ndjeshëm, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.

Stuhia ka përfshirë edhe disa qytete të tjera të qarkut, ndërsa pritet një bilanc më i plotë i dëmeve të shkaktuara. Deri më tani nuk ka raportime për persona të lënduar, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes.