ELBASAN - Tre punonjës policie kanë mbetur të plagosur me mjete prerëse gërshërë mëngjesin e kësaj të hëne në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur në lagjen "5 maji".

Autori është identifikuar si Nerfan Halimllari, përfaqësues i komunitetit rom, i cili më herët kishte grabitur një dyqan. Ai ka marrë një shumë parash në dyqan dhe është larguar menjëherë. 

Pronari i biznesit Ardian Kuka ka njoftuar policinë pas ngjarjes dhe blutë kanë mbërritur në banesën e autorit të dyshuar, ku edhe kanë gjetur shumën e parave të grabitura. Në këtë moment, autori godet me gërshërë tre efektivë duke i lënë të plagosur.

Pas kësaj ngjarje ai është prangosur menjëherë nga policia, ndërsa vijon puna për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje.


Policia në vendin e ngjarjes në Elbasan


(Dyqani që po grabiste autori)


Njoftimi i policisë:

Elbasan

Sot, rreth orës 10:00, në lagjen ‘5 Maji’, në një dyqan ushqimor ka hyrë për të grabitur shtetasi Irfan Halimllari, rreth 50 vjeç, i cili ka marrë lekët e xhiros rreth 20 mijë lekë të reja të dyqanit e më pas është larguar.

Me të marrë njoftimin, një Patrullë e Policisë së Elbasanit ka shkuar në vendngjarje dhe ka konstatuar autorin me mjetin prerës në dorë. 

I ndodhur në këto kushte, Halimllari ka tentuar të dëmtojë veten me mjetin prerës. 

Punonjësit e Patrullës kanë ndërhyrë per ta parandaluar dhe gjatë neutralizimit të autorit, janë lënduar 3 punonjësit e Policisë, të cilët morën ndihmën mjekësore në spital. 

Policia ka ndaluar autorin e ngjarjes. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua sasia e lekëve dhe një mjet prerës gërshërë. Grupi hetimor ndodhet në vendgjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.