Elefanti 4500 kilogramësh Kelly Ann nuk di shumë gjëra për futbollin megjithatë sipas saj është Gjermania ajo që meriton fitoren në Kupën e Botës Brazil 2014. Ylli i cirkut Ringlin Bros shpalosi aftësitë e saj në një shfaqje futbolli në miniaturë duke bërë disa gjuajtje në portën e improvizuar përballë Qendrës Staples në bulevardin e Los Angeles.

E inspiruar nga ethet e futbollit që kanë pushtuar gjithë botën prej një muaji rradhazi, elefanti, nën duartrokitjen dhe të shumë fansave të mbledhur për të parë shfaqjen, zgjodhi si fituese të këtij botërori Gjermaninë duke shënuar një gol në portën mbi të cilën valëvitej flamuri kombëtar i skuadrës Gjermane.

Drejtori i Cirkut, Lee Iverson, i pyetur mbi besueshmërinë e parashikimit të elefantit u shpreh se kishte shumë besim tek Kelly Ann duke shtuar se ajo ishte një kafshë e zgjuar e për më tepër shumë më e madhe se ajo, ndaj natyrisht do besonte tek aftësitë parashikuese të saj.

Shfaqja me elefantin u bë pak para nisjes së zakonshme të spektaklit të cirkut të Los Angeles dhe për këtë nuk ishin të gjithë të lumtur. Në publik kishte dhe shumë aktivistë nga grupi PETA për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve të cilët protëstuan në rrugë dhe akuzuan cirkun për keqtrajtim të kafshëve.

Pjestari i grupit aktivist, Matt Bruce, u shpreh se cilido nga veprimet që kryen elefanti, qoftë qëndrimi mbi një top, me një këmbë apo luajtja e futbollit bëhet me përdorimin e kërcënimeve dhe dënimeve ekstreme dhe fatkeqësisht kjo është diçka që ndodh rëndomë dhe nuk bëhet fjalë vetëm për raste të veçanta. Ai rrëfeu se elefantët rrihen me kamzhikë dhe torturohen me elektroshok ndaj u bën thirrje të gjithë dashamirësve të kafshëve të bojkojtojnë cirqet që i shfrytëzojnë dhe keqtrajtojnë kafshët.

Këshilli i qytetit të Los Angeles ka nxjerrë së fundmi një ligj të ri që ndalon trajnuesit e kafshëve të përdorin mënyra torturuese për të mësuar kafshët por do të nisë të praktikohet vetëm në vitin 2017-të. Cirku Ringling Bros do të japë shfaqje në Los Angeles gjatë gjithë muajit korrik.

Redaksia Online
(Suada B. / Shqiptarja.com)