Partizani u mposht të mërkurën 1-3 nga AF Elbasani pas 120 minutave lojë duke u eliminuar nga Kupa e Shqipërisë në fazën çerekfinale. Barazimi 2-2 pas 180 minutave të ndara në dy ndeshje bëri që sfida t'i drejtohej shtesës, teksa në minutën e 119-të u vendos edhe eliminimi i të kuqve.
Në një dyluftim brenda zonës, kryesori Eldorjan Hamiti e cilësoi të parregullt ndërhyrjen e mbrojtësit të Partizanit kundër lojtarit të AF Elbasanit duke e drejtuar gishtin nga pika e bardhë e 11 metërshit. Ze Gomes nuk gaboi dhe shënoi golin që kaloi verdheblutë në gjysmëfinale, por Partizanit ka bërë një reagim të fortë në kanalet zyrtare të klubit.
'Demat e Kuq' kanë publikuar momentin e 11 metërshit dhe shprehen se 'arbitri i papërgjegjshëm Eldorjan Hamiti ka dhënë një penallti që nuk ekzistonte, duke vjedhur djersën e futbollistëve të Partizanit'. Të kuqtë e kanë shpallur lezhjanin 'non grata', teksa i bëjnë thirrje FSHF-së që të marrë masa dhe të përjashtojnë gjyqtarin e ndeshjes.
Reagimi i plotë nga Partizani:
Klubi Partizani dënon me forcë gjykimin e ndeshjes së Kupës së Shqipërisë Partizani - Elbasani, me një arbiter të papërgjegjshëm si Eldorian Hamiti. Ky arbitër është non grata për Partizanin. Rasti më flagrant është minuta 119 kur Hamiti vendosi kualifikimin me një penallti inekzistente, të cilën vetëm ai e ka parë. Çdokush mund të gjykojë vetë nga këto pamje të cilat nuk kanë nevojë për koment. Thellësisht të hidhëruar për vjedhjen që i bëhet djersës se lojtarëve dhe dëmin që i bëhet ekipit. I bëjmë thirrje Federatës Shqiptare të Futbollit për përjashtimin e këtyre arbitrave të papërgjegjshëm nga sistemi i arbitrimit që bashkë me imazhin e Partizanit po dëmtojnë imazhin e futbollit si dhe vetë Institucionin më të lartë të Futbollit në vend, duke rritur pakënaqësinë e sportdashësve përkundrejt besueshmërisë së garës sportive. FK Partizani kërkon vetëm drejtësi!
Komente








