Eloen Kaja sapo mbaron detyrat e shtëpisë vrapon për tek servisi i babait. I apasionuar pas mekanikës ai njeh me detaje çdo pjesë të kamionëve.

“Kjo makinë flakte ujin, ne i kemi heq boshtin me gunga, biliancerët dhe testatën dhe testata është në radifikë nëse është çfarë do i blejmë testarë të re”- thotë ai.

Me duart me graso, Eloenin e gjejmë në krye të punëve. Është vetëm 8-vjeç dhe jeton me prindërit e vëllanë më të vogël në qytetin e Berat.

“Kur mbaroj mësimet i them mamit a ta marr babin në telefon e të shkoj në servis”

Babai e ka marrë që dy vjeç në servis dhe tashmë ai nuk i ndahet makinave.

“Është pak e vështirë se duhet ti mbash mend të gjitha pjesët, por unë jam mësuar dhe tani s’kam shumë vështirësi”.

8 vjeçari vjen çdo pasdite për ndihmuar babanë dhe xhaxhai në servis, ndërsa në fundjavë ka dëshirë të udhëtojë tek gjyshërit në Roshnik.

“Të shtunën kur më merr uria e lë punën dhe iki tek gjyshërit në fshat. Atje kam qejf se loz dhe me shokët”.

I ati, Drini Kaja thotë se ëndrra e tij është ta shohë të birin inxhinier mekanik në kompanitë e mëdha të prodhimit të automjeteve.

“Nuk dua që djali të punojë me hekura se kjo është punë e rëndë, dua të bëhet inxhinier dhe pse jo të punojë për kompani të mëdhaja”, tha ai. Ndërsa 8 vjeçari shton: “Dua të punoj te actros euro 6”.

Eloeni ka mësuar tejet i vogël të gjitha pjesët dhe tashmë është në gjendje të përcaktojë dhe defektet e kamionëve.