Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, ka finalizuar marrëveshjen për blerjen e "Twitter-it" prej 44 miliardë dollarësh, sipas mediave amerikane. Në një postim të fundit ai shkroi "zogu është i lirë ", duke konfirmuar në këtë mënyrë blerjen e kompanisë, ndërsa një numër drejtuesish të lartë thuhet se janë shkarkuar.
Kjo shënon mbylljen e një 'sage' që e detyroi kompaninë "Twitter" të shkojë në gjykatë për të mbajtur miliarderin në kushtet e një marrëveshjeje blerjeje nga e cila ai ishte përpjekur të shpëtonte.
"Twitter" nuk e ka konfirmuar ende blerjen, por një investitor i hershëm në kompani i tha BBC-së se marrëveshja ishte përfunduar.
Menjëherë pas marrjes së drejtimit të Twitter, Musk thuhet se hoqi disa drejtues të lartë, duke përfshirë shefin ekzekutiv Agrawal, Ned Segal, zyrtarin kryesor financiar dhe Vijaya Gadde, kreun e politikës ligjore, besimit dhe sigurisë. Agrawal dhe Segal ishin në selinë e Twitter në San Francisko kur marrëveshja u mbyll dhe u shoqëruan jashtë, raportoi Reuters.
Pushimet e raportuara pasojnë lajmet se Musk planifikoi të eliminonte gati 75% të stafit të Twitter në një përpjekje për të paguar borxhin e kompanisë. Musk më vonë hodhi poshtë ato raporte, duke u thënë punonjësve se nuk do të shkurtonte një pjesë kaq të madhe të stafit.
Një ndjenjë konfuzioni mbi marrëveshjen mbeti të enjten në mbrëmje, megjithatë, as Twitter dhe as Musk nuk konfirmuan menjëherë shkarkimet. Musk, i cili më parë kishte ndryshuar biografinë e tij në "Twitter" në "Chief Twit", shkroi në Twitter "zogu është i lirë" , por nuk përmendi blerjen e tij të re apo shkarkimet pas publikimit të lajmit.
"Twitter" tani hyn në një kapitull të ri, mbi atë që Musk planifikon të bëjë me një platformë që luan një rol të jashtëzakonshëm në peizazhin politik dhe mediatik për shkak të ndjekjes së saj mes gazetarëve, komentuesve, të famshëmve dhe politikanëve.
Musk bëri një vizitë në selinë e kompanisë në San Francisko të mërkurën, duke mbajtur një lavaman dhe duke vizituar stafin. Ai ka thënë se po e blen kompaninë “për të tentuar të ndihmojë njerëzimin”.
“Arsyeja pse bleva Twitter-in është sepse është e rëndësishme për të ardhmen e qytetërimit që të ketë një shesh të përbashkët dixhital të qytetit, ku një gamë e gjerë besimesh mund të debatohet në një mënyrë të shëndetshme, pa përdorur dhunën”, tha ai në një postim në Twitter më herët të enjten.