Cila është historia juaj në FRESSH?
FRESSH Aktivitetin politik në Forumin Eurosocialist Rinor të Shqipërisë e kam nisur në moshën 16-vjeçare. Jam bërë pjesë e Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë që në moshë të re sepse kam besuar në ndryshimin që do të sillte Partia Socialiste për vendin tonë dhe ky ndryshim ka ndodhur. Së bashku me miqtë e mi në Malësi të Madhe donim të kontribuonim në komunitet dhe për këtë arsye iu bashkuam forumit më të madh politik në vend FRESSH.
Cilat janë 5 vetitë tuaja që besoni se ju favorizojnë për ta fituar ju garën?
Jam i vendosur. Kur e marr diçka përsipër e kryej. Jam bashkëpunues. FRESSH-i është i fuqishëm sepse ka shpirtin e ekipit. Edhe rrugëtimi im në këtë forum është ndër të tjera falë mbështetjes dhe bashkëpunimit me të gjithë të rinjtë dhe të rejat e FRESSH-it. Jam i përkushtuar. Angazhimi im në një kauzë nuk është momental por afatgjatë. Këtë besoj e kam treguar me angazhimin tim në FRESSH si edhe në PS. Jam progresist. Më pëlqen të njoh njerëz të rinj dhe t’i dëgjoj dhe të mësoj nga ata. Një karakteristikë e fushatës time është, se kjo fushatë nuk është thjesht e imja, por rezultantja e shumë e shumë të rinjve dashamirës në mbarë Shqipërinë që më mbështesin. Se në këtë mënyrë del më e mira dhe ajo që kanë vërtet dëshirë të rinjtë dhe të rejat për forumin e tyre. Jam energjik. Të jesh pjesë e FRESSH-it kërkon të jesh mbi të gjitha energjik. Frymëzim për të përkushtuar energjitë e mia në veprimtarinë e FRESSH-it janë vetë të rinjtë e të rejat e shkëlqyer të këtij forumi.
Cilat janë tre objektivat themelore ku ju doni ta çoni FRESSH-in nën drejtimin tuaj?
Si pjesë e pandashme e Partisë Socialiste, një nga objektivat kryesore të FRESSH-it do të jenë zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2017. Pra detyrimisht objektivi i parë do të jetë thellimi i fitores së PS-së gjatë këtyre zgjedhjeve. Objektivi i dytë do të jetë thellimi i mëtejshëm i rrjetëzimit të anëtarëve të forumit tonë, duke pasur një komunikim me kontakt sa më të madh njerëzor dhe jo thjesht me klube apo forume sociale ‘online’. Pra në thelb të FRESSH-it duhet rikthehet vlerësimi i njeriut. Së treti FRESSH-in duhet ta kthejmë në një forum me veprimtari të shumta rinore duke filluar nga sportet e deri tek trajnime te ndryshme politike, që vetvetiu do të çojnë edhe në një rritje të madhe të anëtarëve në FRESSH. Ndër këto veprimtari do të jetë edhe rrjetëzimi me forumet si-motra në mbarë botën. Dua të theksoj se këto objektiva janë një domosdoshmëri për FRESSH-in, që më janë bërë të qarta ndërsa kam biseduar dhe takimet që kam kryer me miqtë FRESSH-ista nga e gjithë Shqipëria.
Nëse fitoni, cilin nga 8 finalistët do të zgjidhnit si krahun tuaj të djathtë, ose do t'i dëshironit fitoren në rast se ju nuk do të renditeni të parët?
I jam futur kësaj gare për të fituar dhe kam bindjen e plotë se të rinjtë dhe të rejat e FRESSH-it do të më votojnë masisvisht, që unë të jem zëdhënësi dhe zbatuesi i vullnetit të tyre. Por mbi të gjitha qëllimi i kësaj gare nuk është posti për hir të postit, por është që sa më shumë të rinj t’i bashkohen FRESSH-it dhe të japin kontributin e tyre. Unë zotohem se nën drejtimin tim FRESSH do të ketë meritokraci. Kandidatët e tjerë i vlerësoj se besoj se janë që të gjithë një vlerë për FRESSH-in, që mund të kontribuojnë në forumin tonë. Pavarësisht garës, ata mbi të gjitha janë miqtë e mi.
Ju po bëni fushatë në rrethe në kërkim të votës. Sa ju kushton kjo fushatë dhe kush po e paguan faturën?
Duke pasur parasysh zhvillimet teknologjike dhe ndërlidhjen që sjell ajo, kjo ka bërë që komunikimi të jetë i vazhdueshëm në mbarë Shqipërinë me efikasitet të lartë dhe kosto të ulët. Po kështu unë kam kryer takime paraprake me të rinj në të gjithë Shqipërinë. Të gjitha këto kanë një kosto pak a shumë aq sa ç’mund të shpenzohet duke dalë shpesh për kafe apo për fundjavë. Por mendoj se forca e fushatës sime është se shumë FRESSH-ista nga Vermoshi në Konispol që më mbështesin e kanë marrë në dorë vetë të më ndihmojnë në këtë fushatë. Për këtë ndihem shumë i nderuar dhe i privilegjuar.
Cila është kërkesa juaj e parë për Edi Ramën nëse fitoni garën?
Gjëja e parë, më të më zgjedhur të rinjtë dhe të rejat në drejtimin e forumit të tyre FRESSH, që do t’i them kreut të PS-së: “Z. Kryetar i PS-së, Edi Rama, cilat janë objektivat dhe detyrat që PS-ja ka për FRESSH-in?” Menjëherë me të marrë përgjigje fillon puna nga Vermoshi në Konispol në zbatimin e tyre.
A do të kërkoni të jeni në listën fituese për deputet i parlamentit të ardhshëm nëse fitoni garën për FRESSH?
Listën e deputetëve do ta vendosë Kryesia e PS-së. Nuk i jam futur garës për të qenë deputet por për t’u zgjedhur nga të rinjtë dhe të rejat e FRESSH që të drejtoj forumin tyre. Nëpërmjet kësaj detyre, unë zotohem se do të punoj së bashku me të rinjtë dhe të rejat, që PS të ketë sa më shumë deputetë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Është e sigurt që del forcë e parë!
Nëse Edi Rama ju kërkon një bilanc të qeverisjes së tij, a do mund t'i rendisnit tre sukseset dhe tre kritikat kryesore?
Tri pikat kryesore të qeverisjes së Kryeministrit Edi Rama në mendimin tim janë: 1) reforma në sektorin energjetik pasi si kurrë më parë ka filluar një menaxhim i mirëfilltë i shpërndarjes së energjisë elektrike; 2) përthithja e investitorëve të huaj, pasi edhe raportet ndërkombëtare financiare e kanë konstatuar këtë gjë; 3) Ringritja e politikës së jashtme pasi tashmë e kemi parë edhe në media dhe reagime ndërkombëtare se vendi ynë po merr një pozicion të rëndësishëm në politikën rajonale. Ndërsa diçka që mund të bëhet më mirë është që Kryeministri Edi Rama të përshpejtojë ritmin e ndërmarrjes së reformave, pasi situata politike e ka treguar se populli shqiptar e ka votuar masivisht PS-në, si në zgjedhjet parlamentare të 2013, ashtu edhe në zgjedhjet vendore të 2015. Të mos harrojmë pastaj edhe fitoren plebishitare së fundmi në zgjedhjet e pjesshme lokale në Dibër…
A mendoni se partia juaj veproi drejt me miratimin e ligjit të mbetjeve?
Partia Socialiste e ka treguar se është një forcë politike që vepron në interes të qytetarëve, Siç e thashë më sipër kjo është edhe arsyeja se përse kjo forcë politikë është votuara dhe vazhdon të votohet masivisht nga qytetarët shqiptarë; si edhe do të vazhdojë të votohet. Ligji për mbetjet ka hapur një debat të gjerë në media dhe në opinionin publik. Kjo gjë është e shëndetshme për aq kohë sa ka argumente të qëndrueshme dhe racionale. Dua t’u kujtoj se para 3 viteve debati publik për çështje të ndryshme nuk ka qenë kurrë i përmasave demokratike, që një debat publik mund të ketë aktualisht. PS-ja e ka argumentuar miratimin e ligjit të mbetjeve në kuadrin ekonomik. Për sa i përket ligjit të mbetjes, i cili u miratua nga koalicioni i majtë, kam bindjen e plotë se PS-ja nuk do të dëmtonte kurrë interesat e qytetarëve.
Skema e pranimit në universitete ishte ndër më të kontestuarat këtë vit. Shumë të rinj ishin të dëshpëruar apo të paqartë. Ju si pjesë e strukturave qeverisëse, por njëkohësisht si përfaqësues i të rinjve, do të kërkoni reflektim nga qeveria për këtë çështje?
Unë nuk jam pjesë e strukturave qeverisëse. Po ashtu edhe pozicioni i kreut të FRESSH nuk është pjesë e qeverisë. Për sa i përket çështjes së skemës së pranimit të universiteteve, mendoj se qeveria ka shprehur angazhimin e plotë për të ndihmuar dhe sqaruar të rinjtë. Nëse do të ishte ndonjë qeveri e mëparshme, të rinjve as nuk do t’u jepej mundësia të debatonin rreth skemës së pranimeve të universiteteve dhe as do t’u kushtohej vëmendje fare…
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com