ROSKOVEC- Ngjeqari është ndër të rrallët fshatra që s’ka pasur asnjëhere ujë të pijshëm në çezma. Banorët janë detyruar të hapin puse, të cilët janë të kushtueshem dhe jo të gjithë kanë mundësi të investojnë.

“Po, kemi hapur puse të thellë, deri 120-130 metra. Na ka kushtuar shumë, 10 milionë lekë të vjetra. Është shumë e madhe per ne. Jo të gjithë kanë mundësi”.

Të tjerë banorë janë detyruar të shtrijnë tubacione plastike për të sjellë ujë nga burimet natyre, që ndodhen disa kilometra larg fshatit. Por edhe kjo zgjidhje, sipas tyre, nuk garanton furnizim të qëndrueshëm gjatë veres.

“Një pjesë e mirë që nuk kanë të ardhura për të hapur pse kanë shtruar tubacione plastike deri 2.5 kilometra largësi, por prapë në verë mbetemi pa ujë për shkak të thatësirës.”

Situata bëhet edhe më e vështirë për familjet e varfëra të cilët detyrohen çdo ditë të mbushin ujë te pijshem tek fqinjët.

“Ka shumë që s’kanë mundësi të hapin puse. Ja mbushin tek njëri-tjetri, ndihmohemi si mundemi. Por verës është shumë e vështirë, s’ka ujë fare.”

Banorët shprehen se mungesa e ujësjellësit është një problem i pazgjidhur prej vitesh, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme drejtuar institucioneve lokale.

“Kemi kërkuar vazhdimisht që të vijë uji, por gjithçka ka mbetur vec nje premtim. Rruga u bë, u rregullua, por uji nuk ka ardhur kurrë.”

Mungesa e ujit të pijshëm ka ndikuar drejtpërdrejt në shpopullimin e fshatit. Nga rreth 450 familje që dikur jetonin në Ngjeqar, sot nuk ka mbetur as gjysma e tyre. 

Banorët theksojnë se në zonë ekzistojnë burime ujore por mungesa e një investimi e bën të pamundur furnizimin për gjithë komunitetin.

“Ngjeqari është i vetmi fshat në Bashkinë e Roskovecit që nuk ka pasur asnjëherë rrjet ujësjellësi. Ndërtimi i tij vështirësohet edhe nga shtrirja e madhe e territorit dhe shpërndarja e banesave.”

Fshati Ngjeqar ndodhet në Bashkinë e Roskovec, në qarkun e Fierit dhe banorët merren kryesisht me bujqësi dhe blegtori, ndërsa një pjesë e tyre janë të detyruar të punojnë në emigracion për të siguruar të ardhura per familjet e tyre.