Elvis Cefa: Unë kandidati
më i mirë për në KLD

Elvis Cefa: Unë kandidati <br />më i mirë për në KLD
Hetimi është filluar nga prokuroria pikësëpari mbi bazën e kallëzimit të bërë nga unë vetë, në cilësinë e titullarit të AKKP dhe në asnjë rrethanë ndaj meje, sikurse lë të kuptohet titulli i artikullit të botuar dje te “Shqiptarja.com”. Elvis Çefa, kandidati i PD-së për në KLD, reagoi dje pas botimit te “Shqiptarja.com” të një dosjeje të mbyllur nga prokuroria në nëntor 2009, ku një ish-vartëse e drejtorit akuzohej nga një shtetase se kishte kërkuar 100 mijë euro në emër të drejtorit për të njohur tokën në Vlorë. Në intervistën për “Shqiptarja.com”, Cefa flet edhe për besimin që ka se shumica në Kuvend, do ta zgjedhë në postin e anëtarit të KLD-së.

Z.Cefa kjo intervistë nis pas reagimit tuaj për botimin e një dokumenti të prokurorisë që bënte fjalë për një rast të supozuar korruptiv, ku ish-vartesja juaj kishte kërkuar 100 mijë euro në emrin tuaj. Juve si u njohët me këtë akuzë të bërë nga shtetësja Vilma Nesturi?
Kjo është e vërtetë. Në fakt mbeta i befasuar nga kryeartikulli i botuar ditën e djeshme datë 6 prill 2012 nga gazeta Juaj, i cili, për mënyrën e formulimit të tij, jo vetëm nuk sqaron dhe informon publikun, por përkundrazi dezinformon atë. Konkretisht, nëse do t’i referohem shkrimit Tuaj të djeshëm, është lehtësisht e kuptueshme që ai në fakt nuk ka paraqitur realisht rrethanat dhe faktet e cështjes, por ka një tendencë të padrejtë për të krijuar përshtypjen se ngjarja në fjalë dhe hetimi i prokurorisë kishin për objekt personin tim në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP. Ky fakt më shqetëson vërtet, pasi nuk është aspak i vërtetë. Përkundrazi!

E vërteta është se hetimi i cituar nga gazeta Juaj në numrin e djeshëm është filluar nga prokuroria pikësëpari mbi bazën e kallëzimit të bërë nga unë vetë, në cilësinë e titullarit të AKKP dhe në asnjë rrethanë ndaj meje, sikurse lë të kuptohet titulli i artikullit në fjalë. Kam qënë pikërisht unë që pas një denoncimi të shtetases Nesturi, e cila pretendonte për veprime abuzive të një ish-punonjëses së AKKP (I.M.), kam denoncuar rastin në prokurori dhe kam kërkuar një hetim të plotë dhe transparent të kësaj cështjeje dhe paralelisht, në respektim të ligjit kam shkarkuar menjëherë punonjësen nga detyra. Fakti është që prokuroria, ashtu sikurse edhe Ju keni cituar, ka vendosur mosfillimin e procedimit penal për këtë rast.

Në dijeninë tuaj, çfarë baze kishte akuza e përfaqësues së subjektit Gjikuria dhe cfarë fati pati njohja e 50 hektarëve tokë që pretendohej prej saj në Palasë së Vlorës?
Referuar kallëzimit, tim akuza e bërë nga zj. Nesturi ndaj ish-punonjëses së AKKP (I.M.) nuk u konsiderua e provuar nga ana e Prokurorisë dhe për këtë rast tashmë ka një vendim mosfillimi. Në këtë kontekst, përsa kohë organi kompetent (prokuroria) nuk ka gjetur elemente të veprës penale në veprimet apo mosvepimet e ish-punonjëses I.M., nuk më takon mua të shprehem për këtë rast. Është normale që rezervoj një mendim timin personal për ngjarjen, ashtu sic do të bënte kushdo nga ne në raste analoge. Përsa i përket fatit të pretendimit të subjektit Gjikuria lidhur njohjen e të drejtës së pronësisë për disa sipërfaqe toke në Palasë, Vlorë, sqaroj se, referuar dokumentacionit ligjor të paraqitur nga subjekti, fakteve dhe rrethanave të cështjes, nga AKKP pretendimi është konsideruar i pabazuar në dokumetacion dhe në ligj dhe për këtë arsye është vendosur rrëzimi i kërkesës së subjektit dhe lënia në fuqi e vendimeve të dhana nga ish-Zyra Rajonale e Kthimit të Pronave Vlorë për “mosnjohjen e së drejtës së pronësisë”.
 
Ju u emëruat në AKKP pas largimit dhe marrjes si të pandehur të paraardhësit tuaj, Tunxh Vatnikaj. Cfarë problemesh gjetët kur morët detyrën?
Problem kryesor që mbaj mend nga ajo kohë në fakt është një mungesë soliditeti dhe qëndrueshmërie në stafin e AKKP si pasojë e lëvizjeve të shumta të personelit si dhe një numër i konsiderueshëm cështjesh të prapabetura të cilat kërkonin një zgjidhje sa më të shpejtë. Këto probleme sot mund të konsiderohen të superuara.

Pak ditë më parë u vendosën ndryshime në ligjin “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës”, sipas të cilit pronat do të kompensohen me vlerën aktuale të tokës dhe 30 prilli 2013 do të jetë afati i fundit për dorëzimin e të gjitha dosjeve të pronave nga qytetarët. Sa do të ndikojë ky vendim në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave?
Masa 100% e kompensimit të subjeteve të shpronësuar dhe kompensimi në vlerën aktuale të tokës nuk janë risi të ndryshimeve ligjore në proces, por janë parime, të cilat shteti shqiptar i garanton edhe aktualisht, pra kur ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk janë miratuar ende në Kuvend. Shqipëria është ndër vendet e pakta ish-komuniste që u njeh me ligj subjekteve të shpronësuar të drejtën e kompensimit të plotë, pra 100% për pronën e tyre. Ndryshimi interesant në këtë projekt-ligj ka të bëjë me ndryshimin e metodikës apo formulës së përllogaritjes së cmimit të tokës për efekt kompensimi, i cili synohet të jetë sa më realist dhe sa më i përafërt me tregun.
Përsa i përket datës 30 prill 2013, ajo në fakt është data kur sipas projekt-ligjit është parashikuar të përfundojë shqyrtimi i të gjitha kërkesave fillestare gjendje në AKKP për të cilat nuk është marrë ende një vendim fillestar për njohjen e së drejtës së pronësisë. Pas përfundimit të këtij procesi AKKP do të transformohet gradualisht në një institucion i cili do të ketë objekt kryesor të punës së tij kompensimin e atyre subjekteve të shpronësuar prona e të cilëve për shkaqe të ndryshme nuk iu kthye fizikisht.
Efektet e këtyre ndryshimeve janë tërësisht në favor të subjekteve të shpronësuar për arësye se: së pari të gjithë ata subjekte që kanë paraqitur një kërkesë fillestare për njohjen e së drejtës së pronësisë, me shtyrjen e afatit ligjor do të kenë në dorë një përgjigje nga organi administrative dhe së dyti, subjektet që do të përfitojnë kompensim në të holla do ta përfitojnë atë bazuar në një vlerë reale të ish-pronës së tyre sipas cmimeve të tregut në atë moment dhe sigurisht në masë të plotë.
 
Ku do të merren paratë që do tu jepen qytetarëve për kompensimin sipas vlerës së tregut?
Jo domosdoshmërisht kompensimi i subjekteve të shpronësuar do të bëhet vetëm në të holla. Në shumë raste do të mund të aplikohet kompensim fizik, i cili konsiston në ofrimin e një sipërfaqeje toke në një vendndodhje tjetër, por me të njëjtën vlersë me ish-pronën e tij. Sikurse e kam theksuar edhe herë të tjera AKKP po administron dhe verifikon rregullisht situatën juridike të fondit të kompensimit fizik. Janë tashmë disa vendime qeverie që kanë vepruar në drejtim të pasurimit sistematik të këtij fondi. Por, që të fillojë zbatimi masiv i kompensimit fizik, do të duhet të përfundonte paraprakisht procesi i njohjes dhe kthimit të pronës aty ku është e mundur, kjo në mënyrë që të kemi një pasqyrë të saktë të gjëndjes së pronave shtetërore të cilat do të jenë në dispozicion të kompensimit fizik. Në vijim të asaj që parashtrova më sipër, efektet e ligjit “Për verifikimin e titujve të pronësisë” dhe përfundimi i pënës nga Komisionet përkatëse pranë Prefektëve të qarqeve, do të ndikojë gjithashtu edhe në pasurimin e fondit të kompensimit fizik me toka të cilat janë përfituar në mënyrë të kundraligjshme nga zbatimi jo i drejtë i ligjit nr.7501.

Po ju bëj një pyetje, që ua bënë edhe në komisionin e ligjeve, si shpjegohet që në çdo short pronash i bie që të marrë familja Çoba ose Topalli?
Edhe unë do Ju jap të njëjtën përgjigje që dhashë për z. Tahiri: Ju siguroj se nuk jam magjistar, nuk kam qenë dhe nuk pretendoj të jem. Nuk është aspak e vërtetë që ndonjë nga familjet që Ju citoni kanë përfituar në cdo procedurë kompensimi. Fatkeqësisht Ju nuk e njihni procesin e kompensimit. Nëse do ta njihnit këtë proces, do ta dinit se kompensimi i subjekteve të shpronësuar me short nuk aplikohet më që nga viti 2005. Duke filluar nga viti 2006, paratë janë shpërndarë përmes një skeme transparente me rregulla shumë të qarta dhe rigoroze për përcaktimin e subjekteve përfitues, skemë e cila çdo vit miratohet me vendim të Vecantë të Këshillit të Ministrave. Gjatë tre viteve që jam në krye të AKKP, janë zhvilluar procedurat më transparente të kompensimit në të holla duke u shpërndarë afro 6 (gjashtë) miliardë lekë, pa pasur asnjë ankesë ndaj administratës për padrejtësi në shpërndarjen e të hollave dhe për këtë ndjehem krenar. Nëse do të vizitoni faqen në internet të AKKP-së, do të gjeni informacionin e mjaftueshëm për rregullat apo procedurat e ndjekura si dhe listat emërore për të gjithë subjektet përfituese. Së fundmi, nëse familjet në fjalë kanë qenë pronarë, ky nuk është problemi apo faji im, aq më pak i atyre.

Në reagimin tuaj për shkrimin e gazetës “Shqiptarja.com” ju thatë se materiali i prokurorisë ishte një thikë pas shpine dhe dëmtonte karrierën, tuaj, duke patur parasysh kandidimin tuaj për të qenë anëtar i KLD. Sërish po ju bëj një pyetje që ju bënë në kuvend: Çfarë do të ofroni atje kur ju keni punuar as 24 orë në sistemin e gjyqësorit?
Ajo çka unë kam thënë dhe e rithem përsëri është se jam i prekur nga mënyra se si gazeta “Shqiptarja.com” kishte paraqitur kryetitullin në faqen e parë të numrit të saj të ditës së premte. Konteksti në titullin e publikuar nuk është i vërtetë dhe për rrjedhojë aspak i ndershëm. Sikundër e thashë më lart, kryesisht titulli i faqes së parë, por edhe shkrimi në vetvete ka një tendencë të padrejtë për të krijuar përshtypjen se ngjarja në fjalë dhe hetimi i prokurorisë kishin për objekt personin tim në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP. Kjo gjë në fakt nuk është aspak e vërtetë, pasi kam qënë unë personi që kam denoncuar i pari rastin në prokurori, dhe nuk kam qenë për asnjë moment i kallëzuar apo i hetuar për këtë cështje. Kjo më hidhëron dhe më shqetëson vërtet, kur e pavërteta thuhet botërisht, në një moment vulnerabël për karrierën time e mbi të gjitha pa marrë paraprakisht një version timin të ngjarjes. Ju siguroj që nëse ka diçka për të cilën jam krenar gjatë gjithë kohës që kam shërbyer në administratën e shtetit shqiptar është pikërisht ndershmëria dhe ruajtja e integritetit tim moral-personal. Në cilësinë e titullarit të një institucioni shumë problematik kam arritur të krijoj një marrëdhënie krejtësisht të ndershme dhe transparente me të gjithë subjektet, ndër të cilët në jo pak raste ka pasur edhe persona me qëllime jo të ndershme dhe jo ligjore.
Përsa i përket pjesës së dytë të pyetjes Tuaj, personalisht nuk e konsideroj aspak një dizavantazh faktin që unë nuk kam punuar në sistemin gjyqësor. Përkundrazi. Së pari, duke kaluar një pjesë të mirë të karrierës time si përfaqësues ligjor i institucioneve ku kam punuar, mendoj se e njoh aq sa duhet veprimtarinë dhe procedurën e gjykatave. Së dyti, puna në krye të AKKP si një organ i cilësuar “kuazigjyqësor” nga vetë Gjykata Kushtetuese ka qenë dhe është një përvojë që realisht i afrohet asaj të një gjyqtari.
Së treti, ashtu sikurse edhe pika 2 e nenit 4 të ligjit “Për organizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” e parashikon, kandidati i propozuar nga Kuvëndi, në fakt nuk duhet të jetë pjesë e sistemit gjyqësor, dhe kjo nuk është parashikuar pa qëllim. Vetë natyra dhe funksioni i KLD është më afër një organi administrativ se sa një organi gjyqësor. Referuar ligjit, KLD është “autoriteti shtetëror përgjegjës për mbrojtjen, emërimin, transferimin, shkarkimin, edukimin, vlerësimin moral e profesional, karrierën, dhe për kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve”, çka realisht e klasifikon këtë institucion si një organ kontrolli i veprimtarisë së gjyqtarëve, cka përputhet më së miri me profilin tim të mëparshëm profesional. Në këto kushte jam i mendimit se kandidatura ime është në fakt ajo më e përshtatshmja për postin vakant të antarit të KLD dhe kjo besoj se është e qartë edhe për shumicën e deputetëve të Kuvëndit.
Disa deputetë të PD-së, patën rezerva ndaj figurës tuaj dhe ndoshta edhe nuk do tju votojnë gjatë votimit të fshehtë në kuvend. Përse duhet t’ju votojë PD juve, apo vetëm për faktin se keni qenë një zyrtar i besuar i Kryeministrit berisha?
T’ju them të drejtën nuk jam aspak në dijeni të faktit që ndonjë nga deputetët e PD kishte rezerva ndaj figurës time. Gjithsesi edhe nëse kjo ka ndodhur, unë do ta konsideroja një diçka krejtësisht normale për një tempull të demokracisë sic është parlamenti. Arësyet përse unë mendoj që do të votohem si anëtar i KLD nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Shqipqërisë është se në atë institucion ata me votën e tyre do të dërgojnë në KLD një person, i cili përfaqëson një frymë të re, një frymë kundër praktikave të paqarta, jotransparente apo korruptive dhe larg kompromiseve në kurriz të drejtësisë. Një person që ka respekt për ligjin dhe është shërbëtor besnik vetëm i ligjit. Ata do të dërgojnë në KLD një anëtar, i cili do të ofrojë kontributin e tij të pakursyer për vlerësimin real, transparent dhe të paanshëm të gjyqtarëve, do të ofrojë kontributin e tij personal për mbrojtjen morale e profesionale të figurës dhe karrierës së gjyqtarëve. Ata do të dërgojnë në KLD një anëtar, i cili do të bëjë cfarëdo që të jetë e mundur për rritjen e cilësisë së dhënies së drejtësisë dhe për rritjen e aksesit të shqiptarëve dhe të besimit të tyre tek drejtësia.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja