Emergjencë kombëtare: Delazaratizimi i PD

Emergjencë kombëtare: Delazaratizimi i PD
Lulzim Basha nuk duhet t’i ketë besuar syve kur rreth dhjetë ditë më parë në turin e tij në të gjithë vendin qindra vetë e kanë pritur në hyrje të Lazaratit e kanë ngritur në ajër dhe për thuajse një kilometër e kanë mbajtur në krahë deri në qendër të fshatit. Ndoshta ky duhet të ketë qenë momenti i parë në dy vjet kur mund ta ketë ndjerë veten lider. Po e prisnin më ngrohtë se Berishën pikërisht në kështjellën e PD në jug të vendit. Në fakt, ky është kurthi më i madh që mund t’i jetë ngritur në karrierën e tij të shkurtër në krye të opozitës.

Ngjarjet që pasuan mitingun e Bashës në Lazarat dëshmuan një déjà vu që banorët e Jugut të vendit e shikojnë prej 20 vjetësh. Nukli i të djathtës shqiptare qenka sërish ai që prodhonte hashash sa gjithë Ballkani dhe bashkë me hashashin gjithë drejtuesit e administratës shtetërore në qytetin e Ismail Kadaresë, Eqrem Cabejt dhe Musine Kokalarit. Një realitet i tillë u ngjall krupën. Ky është shkaku përse jugu i vendit bëri atë që bën prej dy dekadash: votoi masivisht kundër tyre. Votoi sërish kundër sepse nuk mund të pranojnë t’i kthehet një makthi. Kandidimin e doktor Igli Kokalarit e perceptuan si një hedhje hi syve. Menduan se pinjolli i një prej familjeve me të fisme të qytetit senjorial ishte thjesht një prestanome. Mikun tim të fëmijërisë e shikonin gjatë fushatës të rrethuar me avokatët politikë të industrisë së hashashit dhe drejtuesit e kapso të djathtës në Gjirokastër. Ndoshta Kokalari s’kishte si ti shmangte. Tek e fundit ishte kandidat i partisë së tyre. Kirurgu i Gjirokastër duhet ta pranojë se PD në jug të vendit është një apendiks i Lazaratit. Këtu duhet të shikojë shkakun e humbjes, ai dhe Lulzim Basha.

Pritja e Bashës në Lazarat krijoi një iluzion të ndërsjelltë. Banorët besuan se me fitoren e Partisë Demokratike do vinte sërish dita e tyre. Fillimisht policia do largohej nga fshati dhe gradualisht do fitonin territorin e humbur, dikush do t’i kthehej planatacionit të hashashit, dikush tjetër traut të Kakavijës dhe sigurisht “çunat” që kishin qenë drejtorë do vinin sërish kollarot. Çdo fund iluzioni kolektiv krijon tronditje psikologjike tek turma. Në këto rrethana u provokua policia dhe mbeti i vrarë oficeri i që i kishte shpëtuar plumbave të talebanëve në Kabul. Ibrahim Basha është heroi i luftës së shoqërisë shqiptare për të mos lejuar talebanizimin e vendit.
 
Pas këtij zhgënjimi të ndërsjelltë që shkaktoi mitingu i Bashës në Lazarat të dyja palët duhet të bëhen esëll. Lazaratasit duhet t’i japin fund iluzionit se duke bërë militantët e thekur të PD do kenë sërish statusin e të paprekshmëve , se janë rast i veçantë nga pjesa tjetër e vendit, se duke mbajtur ca minuta në krahë liderin e radhës së PD do kenë statusin e familjeve të privilegjuara të dëshmorëve që kishte Mashkullora në kohën e agonisë së PPSH, se bandorelën “Lazarati përjetë me PD” në mitingun e radhës s’mund ta përdorin si çarçaf ku këndellen ëndrrat me plantacione hashashi. Kryetari i Partisë Demokratike duhet t’i japë fund gjithashtu iluzionit me Lazaratin. Në të kundërt pas zhgënjimit të parë do provojë një tjetër akoma më të madh dy vjet më pas. Lideri real dhe fitues i të djathtës në zgjedhjet e ardhshme bëhet nëse arrin të deshifrojë përse humbi Kokalari, kandidati më i mirë që mund të gjejë në Gjirokastër. Lider fitues nuk bëhet nëse rreket nga iluzioni se mund të fitojë me skena tribale si ato të ngritjes hopa deri te rrapi i fshatit. 

Nuk e di nëse në xhunglën e lajmeve të dy ditëve të fundit u ka shpëtuar një lajm nga Fieri. Babë e bir janë në kërkim nga policia sepse rrahën barbarisht një numërues të së majtës. Eshtë një fakt shumë domethënës. Ai individ dhe disa të tjerë janë identifikuar për dy dekada si e djathta në Fier. Ky është shkaku përse PD ka rezultate abisale në Qarkun e Fierit, të dytin në vend pas Tiranës. Shembuj të tillë ka pa fund dhe në shumë rrethe të vendit. Madje një nga shkaqet kryesore të krijimit të bastioneve të së majtës në të gjithë vendin është pikërisht ky fenomen: Lazaratizimi i strukturave të PD-së.
 
Një komunitetet në minorancë me një dorë duke tundur flamurin blu dhe me dorën tjetër plaçkit gjithçka duke terrorizuar krejt qytetin. Basha i ka gjithmonë në tavolinë votat e tyre. Sfida emergjente e tij politike është të dëshmojë çdo ditë me fakte se nuk do jetë një marionetë që ngrenë deri tek rrapi i fshatit. Duhet tu ngjallë shpresën njerëzve normalë se PD do jetë parti e njerëzve normalë.
 
Kjo është një emergjencë kombëtare nëse shikojmë rezultatin e të djelës. Vendi ka nevojë për një opozitë të fortë, në të kundërt rrezikohemi nga arroganca e pushtetit të pakontrolluar. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)


 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Deputeti i PDK-së flet për Report Tv: Fjalimi i Ramës në parlamentin e Kosovës gjithpërfshirës, dha mesazhe se jemi një! Negativiteti i Vetëvendosjes, i pashpjegueshëm

Deputeti i PDK-së flet për Report Tv: Fjalimi i Ramës në parlamentin e Kosovës gjithpërfshirës, dha mesazhe se jemi një! Negativiteti i Vetëvendosjes, i pashpjegueshëm