Eugen Prifti është emëruar drejtori i ri i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Sarandë, katër ditë pasi është shkarkuar paraardhësja e tij Aida Demi. 

Prej 6 muajsh Prifti ka qenë zëvendës-regjistrues në Sarandë. Gazetari i Report Tv Limos Didani bën me dije gjithashtu se 5 punonjës te ASHK Sarandë janë liruar nga detyra. Vendimi është marrë dje nga Drejtoria e Përgjithshme.

Aida Demi u shkarkua nga drejtimi i Kadastrës së Sarandës, pas investigimit në media se familja e saj ka përfituar tokë që më parë ka qenë det dhe ka ndërtuar hotel. Trualli i cili është blerë me proces privatizimi në vitin 1992, sipas denoncimit, gllabëroi një pjesë të konsiderueshme të bregut të detit, pjesë që u mbush me inerte dhe u kthye në tokë. Në certifikatën e pronësisë familja Demi ka shënuar më shumë metra katrorë sesa bleu.

Pas shkarkimit të saj Policia ka ushtruar kontroll edhe në zyrat e ASHK Sarandë dhe sipas burimeve policore për Report TV ditën e premte janë sekuestruar disa dosje pranë sektorit te legalizimeve dhe regjistrimit të pasurive pranë kësaj Drejtorie të cilat do të referohen pranë Prokurorisë së Sarandës për hetime të mëtejshme.