Kosovë-Qeveria në Kosovë ka miratuar sot vendimin për pranimin e emigrantëve të dëbuar nga SHBA-ja. 

Lajmi është bërë me dije nga kryeministri Albin Kurti, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se brenda një periudhe 1-vjeçare Kosova do pranojë dhe strehojë deri në 50 persona. Kurti e ka konsideruar SHBA si një aleat të palëkundur. 

'Si përgjigje ndaj kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim me partnerin dhe aleatin tonë, sot e përkthyem në Vendim të Qeverisë, në mbledhjen tonë të 262-të. Sipas këtij vendimi, shteti ynë brenda një periudhe njëvjeçare do të pranojë dhe strehojë deri në 50 individë me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes.

Përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, këta persona do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleat i yni palëkundur dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe e vlerësojmë lartë mbështetjen në mbrojtje e zhvillim, e sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit Euro-Atlantik', shkruan ai. 

Qeveria në detyrë e Kosovës konfirmoi më herët gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta në Kosovë, “në përputhje me kushtet e përcaktuara”.

S.B/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 18 Korrik, 07:53

    Akademi për trajnimin e administratës lokale, si e vlerësoni?