Dy ditë pas vendosjes së emigrantëve sirianë dhe irakenë në Konicë të Greqisë, shumë pranë kufirit me Shqipërinë, situata është normale.

Autoritetet greke i tremben një lëvizje të tyre drejt Shqipërisë, për të kaluar më pas përmes detit në Itali, pas mbylljes së të ashtuquajturës “Rruga e Ballkanit”.

Mediat greke shkruajnë se rruga e Adriatikut për vite me radhë është përdorur nga mafia shqiptare për transport droge dhe trafik armësh, si dhe për trafikim njerëzor. Iman Aoun i organizatës “Save the Children” ka thënë se në mesin e refugjatëve të vendosur në Konicë, ka zëra për të kaluar përmes Shqipërisë, edhe pse një rrugë e vështirë.

Përveç trafikimit një nga problemet kryesore që sjell futja e emigrantëve në Shqipëri, është se ata mbartin me vete edhe sëmundje, të krijuara nga kushtet e vështira ku kanë qëndruar për disa javë në Idomeni, pika e kalimit kufitar me Maqedoninë.

Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se në kampet e emigrantëve në Idomeni, dy prej tyre janë diagnostikuar me hepatitin A.

Ky lloj virusi mund të shkaktojë epidemi, e për më tepër në kushtet jo njerëzore që po rrinë emigrantët në Idomeni.

Hepatiti A nuk është vdekjeprurës, por sipas ekspertëve të shëndetësisë mund të sjellë pasoja sociale dhe ekonomike në një vend.

Nga ana tjetër shefi i Europolit, Brian Donald ka paralajmëruar se rrjetet e krimit të organizuar dhe trafikantët e seksit janë rizgjuar, pas kizës së emigrantëve, dhe akuzohen për zhdukjen e mijëra fëmijëve të mitur dhe femrave të vetmuara.

Redaksia online
Shqiptarja.com