Për një kohë të gjatë Erion Veliaj ishte parë si njeriu që do të mund të pasonte Edi Ramën në krye të Partisë socialiste. Sot miqësinë e dikurshme, duket se e ka zëvendësuar një çarje e thellë, e parekuperueshme. Nga qelia e paraburgimit Veliaj ndihet i prerë në besë dhe flet për shantazhe ndaj tij.
Por si u arrit deri këtu? Report TV sjell një vështrim të momenteve kyçe që shenjuan marrëdhëniet mes tyre në dy vitet e fundit.
Lufta publike mes kryebashkiakut Erion Veliaj dhe kryeministrit Edi Rama, ngjasoi me një rrufe në qiell të hapur. Por në të vërtetë, duket të ketë qenë vetëm epilogu i një marrëdhënieje të krisur që më herët.
Raportet e ftohura Rama-Veliaj
Edi Rama kishte filluar të mbante distancë me kryebashkiakun Veliaj, shumë përpara arrestimit të tij në shkurt të 2025-ës.
Daljet e tyre publike së bashku ishin të rralla, e ndërkohë përflitej për një krisje të marrëdhënieve mes tyre. Sinjalin e parë kryeministri e dha më 8 shtator të 2024-ës, ndërsa PS po përgatitej për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Erion Veliaj që deri në atë moment kishte mbajtur i vetëm drejtimin politik të Tiranës, shmanget nga përgjegjësitë kryesore, duke shtuar në forcë dy socialiste të vjetra në drejtimin e qarkut, Elisa Spiropalin dhe Ogerta Manastirliun.
Pesha politike e Veliajt në strukturat e PS-së u zvogëlua ndjeshëm.
Arrestimi i kryebashkiakut
Më 10 shkurt të 2025-ës, Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë më të madhe në vend dhe një prej figurave më të rëndësishme në PS, arrestohet në zyrën e tij, vetëm disa muaj para zgjedhjeve të 11 majit.
Në reagimin e tij të parë, kryemnistri Rama u duk se i doli në mbrojtje kryebashkiakut.
“Është një ngjarje tejet e madhe që nuk mund ta kaloj me formulën 5 vjeçare “s’kam koment”, shprehej Rama.
Puna në bashki nuk mund të ngecte. Një ditë pas arrestimit të Veliajt, Anuela Ristani, njëra prej nënkryetareve merr drejtimin e deleguar, ndërsa Rama i cili tha se do të kujdesej personalisht për mbarëvajtjen e punëve në Bashkinë e Tiranës, nuk humbi kohë, nisi menjëherë takimet me nënkryetarët.
Përplasjet e para për drejtimin e Tiranës
Kur u duk se çdo gjë shkonte qetë, Tirana drejtohej nga një e deleguar, ndërsa Veliaj vijonte përballjen me drejtësinë si një kryetar në detyrë, konflikti i heshtur po niste të ngrinte krye.
Më 18 mars, pak më shumë se një muaj pas arrestimit, Veliaj bën një lëvizje të beftë: Shkarkon nga detyra Anuela Ristanin që kishte marrë edhe bekimin e Ramës, e në vend të saj emëron nënkryetaren tjetër, Sara Goxhaj, e njohur si një nga njerëzit e afërt të tij.
Lëvizjen që me shpejtësi u lexua si një përplasje mes Ramës dhe Veliajt, kryebashkiaku nxitoi ta korrigjonte të nesërmen, duke e cilësuar si një keqkuptim për shkak të izolimit.
“Në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë”, shprehej Veliaj.
Në muajin korrik, në valën e shkarkimeve të kërkuara nga Rama për nënkryetarët dhe drejtorët në të gjitha bashkitë e vendit, japin dorëheqjen dhe katër nënkryetarët e Kryeqytetit. E paprekur mbetet vetëm Anuela Ristani. Një grup pune i drejtuar nga Manastirliu, përzgjedh dhe 4 zëvendësuesit e tyre, Ilir Mengrën, Blendi Sulën, Gentian Kerin dhe Vasilika Vjeron.
Shkarkimi i Veliajt dhe fitorja e kryebashkiakut në Gjykatën Kushtetuese
“Sot ne duhet të marrim vendim, një vendim politik, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për një kryetar të ri bashkie në Tiranë. Përfaqësuesit tanë në këshillin bashkiak duhet të vënë në lëvizje mekanizmi ligjor të shkarkimit të kryebashkiakut të zgjedhur”, tha Rama asokohe.
Këshilli mblidhet më 23 shtator. Dy ditë më pas vjen dhe firma e kryeministrit Ky është vendimi i parë i marrë nga qeveria Rama 4.
Më 29 shtator, Veliaj fillon betejën ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim duke e ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që të nesërmen Rama nxiton për t’i kërkuar presidentit, shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki të vendit të mbetura pa kryetar, përfshirë dhe kryeqytetin.
Dekreti i Begajt për zgjedhjet u pezullua nga Gjykata Kushtetuese, së bashku me urdhërin e shkarkimit të Veliajt. Më 3 nëntor, Veliaj regjistron një fitore jo të vogël përballë qeverisë, kushtetuesja e lë në detyrë. Një vendim që prishi planet e Ramës për zgjedhje të parakohshme, ku për drejtimin e kryeqytetit ai kishte projektuar Ogerta Manastirliun.
Qetësia para stuhisë
Muaj të gjatë pasuan me një qetësi në dukje. Në fund të gushtit, Veliaj befason, duke njoftuar shkarkimin e Anuela Ristanit dhe rikthimin e dy njerëzve të afërt të tij Alban Dokushi dhe Sara Goxhaj. Lëvizja e tij këtë herë, pranohet në heshtje dhe nga Rama.
Por në të vërtetë, marrëdhënia mes tyre kishte akumuluar shumë tension. Veliaj kishte filluar të mos i fshihte më kritikat të cilat nga Rama filluan të lexohen si sulme të hapura.
Kundërshtimi për reformën territoriale dhe kritikat për procedurën e ndjekur ishin vetëm njëra anë.
Përshendetja e fitores së partisë së studentëve në Serbi, që rrëzoi nga pushteti Vuçiç, ndërkohë që Tirana ishte përfshirë nga protesta po në emër të studentëve, u lexuan si një mesazh i drejtëpërdrejtë kundër Ramës.
Transferimi i papritur i Erion Veliajt pas 20 muajsh qëndrimi në paraburgimin e Durrësit, duket se hapi kutinë e Pandorës mes tyre.
Veliaj foli për persekutim politik dhe një lëvizje të kryer pa transparencë.
Rama në një mbledhje me ministrat dhe drejtuesit politik të PS, e përkufizoi Veliajn si një prej njerëzve që qëndronte pas protestave kundër qeverisë.
Përplasja kulmoi me sulmin e hapur të Veliajt. Ndërsa shkruante se kishte më shumë dinjitet se kryeministri, ai e sfidonte Ramën të provonte akuzat, duke i kërkuar që në të kundërt të linte postin.
Ai publikoi shënimet rreth një takimi që kishte patur në orët e vona të natës së 30 tetorit, në burgun e Fierit, me ministrin e Drejtësisë Toni Gogu. Sipas Veliajt, Edi Rama e kishte kërcënuar hapur, përmes Gogut, që të dorëzonte bashkinë e Tiranës dhe të pranonte se kishte patur gisht në protestat e Flamingove. Në të kundërt akuzat ndaj tij do të rëndoheshin.
Gogu mohoi të ketë përcjellë mesazhe të tilla. Rama ka zgjedhur ta injorojë si çështje. Ndërsa Veliaj nuk duket se ka ndërmend të bëjë hapa pas.










Komente
Komento