Emigrimi i të rinjve, një plagë që s’duhej hapur për (pa)zgjidhje

Emigrimi i të rinjve, një plagë që s’duhej hapur për (pa)zgjidhje

Lulzim Basha në spotin politik

Dihet që në kohë fushatash, Shqipëria na paraqitet nga  subjektet politike si një “fushë me lule”, që do të mund ta projektonin dhe realizonin vetëm ata (secili për veten). Përtej shumë situatave qesharake dhe tallëse deri në dhimbje për inteligjencën e masës, sot që më mëngjes, më tërhoqi vëmendjen një spot i realizuar nga Kryetari i Partisë Demokratike, Z.Lulzim Basha, ku në inskenimin e spotit, ishte një familje shqiptare, që po përcillnin birin e tyre për në Gjermani (nuk e di pse ka dashur ta identifikojë dhe shtetin pritës, se duhet të kishte përfshire dhe “London” e shumë vende të tjera të botës, por gjithësesi…).

Kur i riu përshëndetet me familjen dhe bën të hipi në autobus, papritur del Z.Lulzim Basha, që si mesia i zbritur në tokë, e ndalon këtë të riun të iki në Gjermani, duke i thënë djaloshit të spotit se e kupton që do të emigrojë dhe ka të drejtë që do të emigrojë, por nuk duhet të emigrojë, duhet të durojë dhe pak kohë, sepse  pasi të fitojë ai zgjedhjet në 25 Prill, të rinjtë s’do kenë nevojë të emigrojnë pasi do kenë mundësi të realizohen me zanatin dhe/ose profesionin e tyre në Shqipëri. Në fund, pasi bindi të riun, tabelën që tregonte Shqipëri-Berlin e kthehu në anën tjetër Berlin-Shqipëri!

Si një profesioniste e re, që kam studiuar, jetuar dhe punuar në Shqipëri, që studioj, jetoj dhe punoj në Shqipëri, e di mbi lëkurën time, se sa e vështirë është të projektosh punën, karrierën dhe jetën në  Shqipëri (askund nuk është e lehtë, por këtu pengesat vijnë nga ligësia,mungesa e meritokracisë dhe sepse mendësinë e kemi prej militanti deri në qelizë).

Në vijim, dëshiroj të të kujtoj se  përgjatë mandateve të Partisë Demokratike:

1)      Konkurset e punësimit nuk realizoheshin (as fiktivisht),apo një këngëtare që nuk është etike t’ja përmend emrin në këtë shkrim, u bë drejtoreshë në Ministri sepse konkuroi dhe ishte më e aftë se profesionistët e asaj fushe?! (të përmend një rast, që mos të të përmend më shumë. Jo se aktualisht nuk ka fenomene të tilla, përkundrazi, por thjesht për t’ju treguar me fakte të vërtetën, ju dhe gjithe politikanëve të tjerë të angazhuar për të na marrë votën.)

2)      Ju personalisht u katapultuat në politikë, nëpërmjet një rrjeti që synonte afrimin dhe përthithjen e kontributit të të rinjve intelektualë, që ndërkohë  kishin studiuar kryesisht jashtë shtetit. Pyetja ime është kjo, pasi ju u katapultuat në këtë formë, a implementuat ndonjë projekt konkret dhe politikë konkrete (bazuar në pozicionet publike që keni patur), për të ndihmuar të rinjtë brenda dhe jashtë vendit? p.s Pasi kalova  Koronavirusin, memorien nuk e kam të kthjellët plotëisht, por besoj si e etur për të filluar hapat e parë profesionalë në atë kohë, diçka do kujtoja dhe tani me patjetër!!!

3)      Ishte partia juaj, që pak para se të realizoheshin zgjedhjet ku humbët pushtetin, më ofruan punësim (vetëm 3 muaj para zgjedhjeve), ndërkohë s’kisha lënë derë pa trokitur, e zyrë pa dërguar Jetëshkrimin tim! Aq sa u dorëzova në një moment, bëra të ikja dhe unë, por s’erdhët ju të më ndalonit te autobuzi “për Berlin”, por mendësia ime, se kisha humbur një betejë, por jo shpresën dhe besimin te aftësitë e mia dhe faktit që një derë do hapet patjetër, në vendin ku dua unë të jetoj dhe dua që këtë besim e shpresë ta kenë dhe shumë të rinj të tjerë që unë përpiqem ti ndihmoj me aq sa mundem, por çështja këtu as isha , as do jem unë, por fenomeni që prek shumë të rinj shqiptarë. Si kundër argument, mos  më thoni që s’jeni e vetmja parti, që përdorni punësimin 3 muaj para zgjedhjeve, se kjo nuk ju bën më pak fajtorë, por pjesë të “grupit”.

4)      Përveçëse të dalësh te stacioni i autobuzit për Berlin, që të pengosh fenomenin e emigrimit masiv të të rinjve, të lutem më thuaj konkretisht si do e zgjidhësh këtë problem të madh kombëtar nëse fiton zgjedhjet? –Sepse, ndoshta do ndihem pa rrugëdalje dhe do bëj dhe unë  valixhet gati, por do doja shumë të më ndaloje dhe të më bindje për të qëndruar, jo vetëm në kohë fushate.

5)      Përse e shikoni zgjidhjen vetëm politikisht dhe jo nga aspekti i kontributit për vendin tuaj? Përse deri më sot, s’kam dëgjuar nga ana juaj asnjë zgjidhje, por vetëm ankesa mbi problemet që ne i dimë, jo se nuk i dimë, por duam alternativat për zgjidhje. Ju kujt i ankoheni për atë çfarë unë e jetoj mbi kurriz, mua qytetares së thjeshtë? Atëhere hajde ndërrojmë rolet, unë kryetare partie, ju votues i thjeshtë!

Fenomeni i emigrimit masiv  të të rinjve nga Shqipëria (për studime, jetesë a punësim), është një fenomen që vërtetë meriton vëmendje të sinqertë dhe përkushtim të sinqertë për zgjidhje, pasi nëse ka një komunitet që janë keqpërdorur  deri në abuzim (me dëshire dhe/ose të detyruar) në Shqipëri, janë pikërisht të rinjtë! Në asnjë gërmë timen, nuk dua të nënkuptoj që qeveria aktuale e ka prekur në thelb këtë problem, pasi do gënjeja minimalisht veten, maksimalisht lexuesin e këtij shkrimi, por me shpirt dhe sinqëritet dua t’ju them ju dhe gjithë  politikanëve të tjerë, që na qeverisni sot dhe do na qeverisni dhe nesër, që nuk duhet hapni plagën e të rinjve dhe familjeve të tyre, kur nuk ofroni zgjidhje reale por qiqra në hell me spote të bukura. Janë me mijëra familje që fëmijët e tyre i shikojnë nga telefoni, të paktën ju dhe të tjerët mos u dilni në televizor, për motive elektorale me një problem që ata e kanë në shtëpi dhe ju as nuk doni, as nuk dini si ta zgjidhni, ndjesë nëse me zgjidhje ju nënkuptoni si shumë të tjerë: Mbështetjen dhe katapultimin e të rinjve militantë sapo të merrni pushtetin!!! Emigrimi duhet të jetë zgjedhje, por kurrësesi jo, të jetë e vetmja zgjidhje.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Henri: 06/04/2021 17:50

    Po çdo njeri me pak kapacitet e din se me ndalu largimin e rinise duhet qe rroga te jete minimumi sa 60% e rroges ne gjermani diçka qe ne shqipri don te pakten nja 20 vjet bile po erdhi pd ne pushtet mund te doje 60 vjet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Serbia ia refuzon Sveçlës kërkesën për vizitë në Luginë

Serbia ia refuzon Sveçlës kërkesën për vizitë në Luginë