TIRANE- Katër vjet burg ka kërkuar sot Prokuroria e Tiranës për Emiljano Shullazin gjatë seancës së sotme në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet. Prokuroria paraqiti pretencën për Emiljano Shullazin, i cili akuzohet për armbëmbatje pa leje, akuzë kjo që është ngritur disa herë ndaj Shullazit, një emër i njohur i botës së krimit në vend.

Ndërkaq për mikun e tij Gilmando Dani, prokuroria kërkoi dënimin me 1.6 vjet burg, duke artikuluar ndaj tij vetëm akuzën e mos kallëzimit të krimit.

33-vjeçari Emiljano Shullazi u arrestua më 8 nëntor 2011 bashkë me mikun e tij Gilmando Dani, në afërsi të banesës së tij , pranë 21 dhjetorit në Tiranë teksa lëvizte me një makinë që ishte regjistruar në emër të Kuvendit.

Në momentin e arrestimit blutë gjetën në trupat e tyre një pistoletë të veçantë tip Glock tip 17 dhe në kroskotin e makinës janë gjetur disa maska si dhe armë e municione luftarake pa leje.

Emiljano Shullazi është arrestuar disa herë nga policia, ndërsa ka vuajtur dënim me burg për trafik droge. Ai është arrestuar edhe gjatë zgjedhjeve vendore të 8 majit, pasi u përfshi në një incident elektoral në Farkë të Tiranës, por më pas gjykata e la të lirë atë.

Pak kohë më parë policia arrestoi një tjetër mik të Emiliano Shullazit. Ervin Ferhati u arrestua më 10 prill nga policia e Tiranës pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Interpol – Romës. Ferhati akuzohet nga drejtësia italiane për veprat penale “Pastrim Parash”, “Trafik Narkotikësh” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.
(jd/shqiptarja.com)