Emir Abeshi, virtuozi i violinës që
e la Shqipërinë në moshën 10-vjeç

Emir Abeshi, virtuozi i violinës që<br />e la Shqipërinë në moshën 10-vjeç
TIRANE - Violinistin shqiptar Emir Abeshi po e presin në prill dhe maj koncerte të mëdha në Itali. “Pranvera italiane do të dehet nga violina e një virtuozi”, thotë gjithë gjallëri dhe dashuri pianisti i shquar amerikan Thomas Hoppe, i cili ka ardhur në Tiranë të shoqërojë në violinë Emir Abeshin sot në orën 19.00 në koncertin e virtuozëve”.

Koncerti do të mbahet në sallën e madhe të Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Thomas Hoppe ka një vit që e ka njohur violinistin e suksesshëm Abeshi në skenat botërore, por shprehet se “më duket sikur kemi dhjetë vjet që njihemi”. Dhe këtu e ka fjalën për cilësitë e rralla të personalitetit të violinistit shqiptar.

Kthimi i Emir Abeshit për herë të dytë në Shqipëri është shumë i dëshiruar, por shtysa nuk vjen nga ndonjë ndjenjë “patriotizmi”. Është ndjenja e mallit për njerëzit, shtëpinë dhe familjen që i ka munguar gjatë rrugës së tij të suksesit. Edhe pse është i njohur tashmë si virtuozi shqiptar i violinës në vende të ndryshme të botës, Itali, Angli, Belgjikë, Amerikë, etj, Abeshi ndihet thellësisht i prekur që është detyruar të largohet nga Shqipëria.

Duke përjetuar sukseset ndërkombëtare të këtyre artistëve, jemi mësuar ta quajmë thjesht “krenari” dhe këtë ia themi violinistit Abeshi. Ai nuk thotë ashtu si shumë të tjerë, as që “jam ambasador i Shqipërisë në botë”, as që po “bëj krenar vendin tim”. Jo, rrëfimi i tij është më prekës, ndoshta më dinjitozi.

Në botë këta artistë janë të detyruar të sprovohen dhe fitojnë me vështirësitë, sepse vetëm jashtë Shqipërisë kanë mundësi të edukohen si muzikantë të mirë. Duke parë anën tjetër të  medaljes kupton se jo gjithçka është ashtu siç duket. “Unë nuk kisha dëshirë të largohesha nga shtëpia ime”, thotë në intervistën për “Shqiptarja.com” Emir Kurteshi.

Emir, kur keni ikur nga Shqipëria dhe pse e bëtë?
-Ika nga Shqipëria drejt Italisë në vitin 1997. Isha vetëm 10 vjeç, ndërsa violinën e kisha nisur katër vjet më parë, në moshën 6-vjeçare. Ishte shumë e vështirë për mua në atë kohë të ndahesha nga familja. Arsyet e ikjes sime ishin se duhej të bëja një shkollë të mirë muzikore, sepse disa nga profesorët e mi më kishin evidentuar si talent.

Atje ndenja me një familje italiane, ku kreva shkollën, pastaj konservatorin e muzikës “Ghedini” në Itali e më pas në konservatorin e Bostonit “New England”. Isha 16 vjeç kur performoja me orkestrën simfonike “Ghedini”. Gjatë kësaj kohë jeta ime ka qenë një përpjekje me studime dhe koncerte.

Më pas u shpërbleva me çmime, si çmimi i dytë në konkursin e organizuar nga fondacioni “Rodolfo Lipizer” në Itali, çmimi ndërkombëtar “Uto Ughi” dhe disa çmime të tjera. Tashmë zotëroj profesionin dhe jam edhe një nga bashkëthemeluesit e ansamblit të dhomës “Artur”, që ka pasur suksese me koncertet.

Keni ardhur herë tjetër në Shqipëri?
-Në Shqipëri është hera e dytë që vij. Ashtu si kësaj here edhe herën e parë, në vitin 2011, u bë shkak ftesa që më bëri drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, Zhani Ciko, për një koncert në sallën e Teatrit të Operës. Në Shqipëri vij me shumë mall për shtëpinë, për prindërit. Edhe pse kam ikur që 10 vjeç, përsëri unë e ndjej veten pjesë të vendit tim.  

Ju keni studiuar edhe në Boston. Si është konkurrenca e artit muzikor në Amerikë?
-Niveli i studimeve dhe niveli i instrumentistëve amerikanë është shumë i lartë. Një shembull i shkëlqyer i këtij niveli është edhe pianisti Thomas Hoppes. Kanë qenë pikërisht arritjet në shkollën e Bostonit, që unë me disa studentë të klasës sime arritëm të ishim mes 12 finalistëve nga e gjithë bota në konkursin e muzikës klasike “Queen Elisabeth Competition”, që zhvillohet në Belgjikë. Është një konkurrencë e fortë dhe e ashpër, duke pasur parasysh se nuk je vetëm ti që do të ecësh përpara. Nuk je vetëm ti që lufton.

Emir, ju dhe disa të talentuar të tjerë në violinë si Tedi Papavrami, Olen Cesari, etj, spikasni. Çdo të thotë për ty të jesh një violinist shqiptar me famë në botë?
-Sigurisht që jam ndier mirë me sukseset, më kanë gëzuar ato. Po ashtu kam ndjerë kënaqësi për violinistët shqiptarë që kanë suksese në botë. Kjo është një anë e mirë.

Por ana tjetër e medaljes, e keqja qëndron se ne jemi të detyruar të largohemi. Jemi të detyruar të luftojmë me konkurrencën dhe kushtet e vështira. Ia kemi arritur mes mundimeve dhe sakrificave.

Ne jemi larguar për oportunitet për hir të asaj që kemi arritur, por nuk është shumë e këndshme kjo. Do të kisha qejf të rrija në shtëpinë time, të mos largohesha nga Shqipëria.

Duke ikur nga vendi ynë ne përjetojmë vuajtje për çdo gjë që na mungon nga Shqipëria, familja prindërit. Pikërisht këta violinistët shqiptarë i ka bërë të suksesshëm fakti që i nisen kësaj rruge me vështirësi dhe nga këto vështirësi fitojnë më shumë maturi.

RRËFIMI I PIANISTIT

Thomas Hoppe: Abeshi, një eksperimentues që nuk njeh kufij

Pianisti amerikan Thomas Hoppe është një ndër personazhet më simpatikë që mund të kemi njohur në botën muzikore. Ai e ka njohur violinistin shqiptar Emir Abeshi një vit më parë në Bruksel, kur sfidoi në finale në një prej konkurseve më të rëndësishme në botën e muzikës klasike “Queen Elisabeth Competition”.

“Violinisti shqiptar “një eksperimentues që nuk njeh kufij”,”më ka bërë të nxjerr djersë të ftohta me propozimin e tij për të luajtur Sonatën Postum të Ravelit”, thotë pianisti amerikan Thomas Hoppe, ndërsa rrëfen se cilat janë pjesët që do të luajnë së bashku në programin e “Koncertit të Virtuzove”.

Pjesë të këtij koncerti do të jenë J.Brahms, F.Schubert-D.Oistraki, E.Grieg dhe sigurisht M.Ravel që mund të quhet një sfidë e të dy instrumentistëve në shfaqjen për publikun shqiptar. Të luash Ravelin nuk është e lehtë, por Abeshi e di që kjo muzikë do t’ju hyjë lehtë në zemër shqiptarëve.

Ndërsa Hoppe studionte dje mbi partiturat dhe këndonte notat e Ravelit, thotë se loja në instrumente me të është një kulturë e re. Por ai beson se do t’ia dalin me sukses sepse Hoppe e quan privilegj të jap koncert për publikun shqiptar.

I pyetur se pse është i interesuar të jap një koncert në Shqipëri, përveç faktit që ka miqësi me Emir Abeshin, ai thotë se për të si instrumentist nuk ka asnjëherë rëndësi sesa i famshëm është, por më shumë rëndësi ka për atë që i dhuron publikut.

Dhe për të publiku “nuk ka ndonjë dallim nëse është shqiptar, gjerman apo amerikan”. E rëndësishme për Hoppe është që të luajë me sinqeritet. Tomas Hoppe gëzon një reputacion të madh si pianist i shquar dhe bashkëpunues. Ai performon nëpër botë ku pritet me duartrokitje. Që nga tetori pianisti Hoppe 2002 jeton me familjen e tij në Berlin.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda