Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve kërkon ndëshkimin me masë disiplinore të gjobës ndaj 41 kandidatëve bashkiakë, shumica e të cilëve fitues, në zgjedhjet lokale të fundit në Shqipëri, 14 Maji 2023, për shkelje të Kodit Zgjedhor në fushatë elektorale.
Komisioneri Ilirjan Celibashi, i ka propozuar Komisionit të Ankimeve sanksionet në fjalë, me vlera nga 72 mijë, deri në rreth 500 mijë lekë gjobë, që do i kalojnë për llogari KQZ-së. Kandidatët janë kryesisht të forcave respektive, 32 nga PD dhe Partia e Lirisë (Koalicioni "Bashkë Fitojmë") dhe 9 nga PS.
Mes tyre bie në sy edhe emri i kryebashkiakut Pjerin ndreu, me 720 mijë lekë të reja gjobë (7,2 mln të vjetra).
"Në zbatim të nenit 173, pika 6 e Kodit Zgjedhor, Komisioneri vendosi t’i propozojë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve marrjen e masës administrative për kandidatin për kryetar bashkie, Bbashkia Lezhë, të Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu, me gjobë në vlerën 720 000 lekë", thuhet në kërkesë.
Teksa më tej vijohet edhe shpjegimi për të tjerët:
“Në zbatim të nenit 173, pika 5 e Kodit Zgjedhor, Komisioneri vendosi t’i propozojë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve marrjen e masës administrative dhe kalimin e fondeve të marra për llogari të KQZ-së, për 40 kandidatë për kryetar bashkie”, thuhet në shkresë.
Kryebashkiaku Vangjel Tavo dhe Blendi Klosi
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar sot edhe një nga denoncimet e depozituara në institucion nga Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KIRK) për zgjedhjet e pjesshme në Himarë, të 4 Gushtit të këtij viti, ku u konstatuan shkelje administrative të Kodit.
Pas shqyrtimit, Komisioneri vendosi t’i propozojë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve gjobitjen me 100 mijë lekë të reja për Vangjel Tavon, kryebashkiakun socialist të Himarës, (në cilësinë e kandidatit shkelja), pushimin e hetimit administrativ për deputetin Blendi Klosi, në cilësinë e përfaqësuesit të PS për zgjedhjet dhe 4000 lekë të reja për Haide Dhulin, drejtor i shkollës së mesme “Qazim Pali” në Borsh.
Njoftimi i KQZ:
“Sot, u shqyrtua administrativisht denoncimin nr. 2 ID nga Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK), ndaj personave përgjegjës për shkelje administrative, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë, të datës 4 gusht 2024. Në përfundim të shqyrtimit, Komisioneri vendosi t’i propozojë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve marrjen e masës administrative për zj. Haide Dhuli, Drejtor i Shkollës së Mesme të Bashkuar “Qazim Pali”, Borsh në vlerën 4000 (katër mijë) lekë dhe për z. Vangjel Tavo, kandidatit për bashkinë Himarë në vlerën 100 000 (njëqind mijë) lekë, si edhe pushimin e hetimit administrativ për z. Blendi Klosi, përfaqësues i Partisë Socialiste të Shqipërisë”.
Komente











