VJENE – “Fusnota” e shumëpërfolur në emrin e Kosovës, që përbën edhe bazën e marrëveshjes së bashkëpunimit rajonal mes Prishtinës dhe Beogradit, mund të jetë edhe zgjidhja e një tjetër konflikti në Ballkan, atë mes Maqedonisë dhe Greqisë përsa i përket emrit të ish republikës jugosllave.
Autoritetet maqedonase duket se kanë nisur edhe një fushatë diplomatike për këtë, me qëllim zgjidhjen e ngërçit me Athinën që do të zhbllokonte edhe pranimin e Maqedonisë në NATO e BE.
Propozimi ka ardhur nga vetë presidenti Maqedonisë Ivanov, i cili ka theksuar se marrëveshja Prishtinë - Beograd dhe ajo midis Sllovenisë dhe Kroacisë mund të jenë model i pranueshëm për të gjetur zgjidhje për problemin e emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë.
"Ne nuk shohim se ka vullnet për dialog nga fqinji ynë jugor, që të bëjë atë që bënë Sllovenia dhe Kroacia, që paralelisht të udhëheqin proçeset dhe të arrijnë zgjidhje. Gjithashtu vullneti lindi edhe mes Serbisë dhe Kosovës dhe u gjet zgjidhje", ka deklaruar Ivanov nga Vjena ku ndodhet për një vizitë.
Ai tha se çështjet dypalëshe nuk duhet të jenë barrierë për procesin integrues të vendit dhe se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të Shkupit për emrin, duhet t’i japë një trajtim më korrekt vendit nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. (im/shqiptarja.com)