Emri i guvernatorit të ri të BSH
kalon nga zyra e Bujar Nishanit

Emri i guvernatorit të ri të BSH<br />kalon nga zyra e Bujar Nishanit
TIRANE- Përzgjedhja e guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë ka vënë në lëvizje institucionet më të larta në vend. Presidenti Nishani zhvilloi dje një sërë takimesh konsultative me krerët e politikës në vend për zgjedhjen e guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë. Kreu i shtetit edhe pse paralajmëroi në media se të drejtën për përzgjedhjen e guvernatorit të ri të BSH kushtetuta ja njeh atij, zhvilloi takime konsultative për këtë proces me kreun e Kuvendit, kryeministrin dhe kreun e opozitës.

Kryeparlamentari Meta ishte i pari që vizitoi presidencën ditën e djeshme, ndërsa për 35 minuta zhvilloi konsulta me kreun e shtetit për zgjidhjen e ngërçit në BSH. Sipas kreut të Kuvendit në takimin me Presidentin më shumë sesa për emra konkretë është folur për procedurat kushtetuese të cilat do të përdoren për zgjedhjen e guvernatorit të ri. Meta vlerësoi rolin e kreut të shtetit në këtë proces dhe theksoi se transparenca e kërkuar nga Nishani për këtë proces pritet të sjellë një përfundim produktiv.

“Presidenti ka bërë një ekspoze të mënyrës, se si ai ka proceduar për të realizuar në kuadër të përmbushjes së detyrimit të tij kushtetues, për të propozuar emrin e ri, një proces sa më transparent dhe gjithëpërfshirës dhe në këtë drejtim është mjaft i hapur për të bashkëpunuar për zgjidhjen e kësaj çështje sa më shpejt", deklaroi kreu i Kuvendit. Meta sqaroi se më shumë sesa emri i guvernatorit të ri është procesi që do të ndiqet për përzgjedhjen e tij. “Do të ofrojmë të gjithë bashkëpunimin tonë që ky emër të jetë një garant i drejtimit profesional të bankës së Shqipërisë dhe i ruajtjes së pavarsisë së këtij institucioni",u shpreh Meta. Ndërkohë kryeministri Rama nuk pranoi të jap shpjegime për takimin që zhvilloi me Presidentin Nishani.

Ndonëse njësoj si në dy takimet e mëparshme kreu i qeverisë e kishte emrin e tij të preferuar për Këshillin Mbikqyrës në BSH, procedurën dhe përzgjedhjen dhe emrin e guvernatorit të ri e ka diskutuar me Presidentin Nishani.“Pas përfundimit të procesit përzgjedhës për anëtarin e këshillit që propozohet nga qeveria ne e kemi një emër, do të negociojmë me Presidentin për emrin e guvernatorit në mënyrë që të shmangim çdo lloj përplasje institucionale”, deklaroi Rama para deputetëve të tij në mbledhjen e grupit të PS-së, ditën e hënë. Megjithëse nuk e ka pohuar asnjëherë publikisht, Denada Prifti është për shumë prej deputetëve të tij e përzgjedhura e Ramës për Këshillin Mbikqyrës në BSH.

Prifti ka punuar në Ministrinë e Financave të Gjermanisë dhe aktualisht punon për Komisionin Europian në Bruksel. I fundit në rradhë që zhvilloi takime me kreun e shtetit ishte lideri i opozitës Lulzim Basha, i cili njësoj si kryeministri nuk preferoi të komentoj takimin që zhvilloi me Presidentin Nishani. Sipas deklarimeve të mëparshme, opozita më shumë sesa me një sygjerim konkret për kreun e shtetit kërkon një procedurë të rregullt për përzgjedhjen e guvernatorit të ri.

Presidenca
“Përzgjedhja e emrave për BSH, kërkon mirëkuptim”
Deklarimet e munguara të kreut të qeverisë dhe kryetarit të opozitës, institucioni i Presidencës i përmblodhi me një njoftim në të cilën kërkonte mirëkuptim nga palët. "Në fokus të takimeve ishte informimi nga ana e Presidentit për secilin prej bashkëbiseduesve me procesin e deritanishëm të ndjekur për përzgjedhjen e Guvernatorit të ri të BSH.

Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit, në takimet e zhvilluara, informoi se procesi i ndjekur synon arritjen e standardeve më të larta që çojnë drejt përzgjedhjes së kandidaturës më të mirë. Presidenti kërkoi nga bashkëbiseduesit që procesi i konsultimit dhe përzgjedhjes të shoqërohet me transparencë dhe mirëkuptim", thuhet në komunikatën e Presidencës.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Uraganët, akuza nga Trump në fushatë elektorale: Ndihmat po jepen në mënyrë selektive! Obama: Sajon çdo gjë që thotë

Uraganët, akuza nga Trump në fushatë elektorale: Ndihmat po jepen në mënyrë selektive! Obama: Sajon çdo gjë që thotë