E gjithë Shqipëria u përball me një situatë të pazakontë prej tre ditësh, ku reshjet e dendura të shiut ‘pushtuan’ vendin. Pothuajse i gjithë vendi ‘notoi’ nën ujë, për shkak të përmbytjeve masive, që lanë pas jo pak pasoja.

Gjatë këtyre ditëve nuk ka dhe angazhimi i madh i ushtrisë, policisë, por edhe punonjësve të OSHEE, të cilët në disa raste iu desh të luftonin me ujin për të shpëtuar banorët e përmbytur apo për t’iu risjellë atyre energjinë elektrike, pasi jo vetëm mes ujit, por një pjesë e tyre mbetën dhe pa drita.

Një rast i tillë shihet dhe në videon e mëposhtme, e cila është kthyer në virale në rrjet dhe është shpërndarë nga shumë media online, ku një punonjës i OSHEE rrezikon jetën e tij për t’iu sjellë dritat qytetarëve. Videoja është regjistruar në fshatrat e Lunxhërisë dhe ky hero i OSHEE nuk pyet për jetën, por sfidon dallgët e mëdha të ujit për të kryer misionin e tij. Shqiptarja.com mësoi se Thanas Kuremeno, 28 vjeç nga Dropulli, Gjirokastër, është elektricisti që shfaqet në video, teksa kalon lumin përmes litarit për të përcjellë linjën në anën tjetër.

Ai punon prej më shumë se dy vite në OSHEE, teksa aktualisht që flasim ndodhet në terren duke ushtruar detyrën. Mësohet se Thanasi është në gatishmëri prej më shumë se tri ditësh, ku sot bëhen 10 orë punë në terren të vështirë. Ai tregon se vendimin për të kaluar me litar e mori vet, dhe se u deshën mbi 4 orë për të sistemuar fiderin e Lunxhërisë, që furnizon 10 fshatra.

d.c./shqiptarja.com