Nuk janë thjesht fotografi, por pas 25 imazheve të shtypura ekspozuar pranë “Sheshit Skënderbej”, shpalosen gjendje, dëshira vajzërore…
Nënë e dy vajzave, fotografja Jutta Benzenberg, në përsiatjet për të zbuluar ëndrrat e të bijave, shkon më tej. Nga qytetet në skajet më të largëta të Shqipërisë krijon lidhjen e duhur me 25 vajza e gra, që ato të marrin guximin e të rrëfejnë përmes imazhit se dhe ato e kanë një ëndërr.
“Vajzat e mija tani nuk jetojnë më këtu Shqipëri, kështu që unë vendosa të shkoja dhe të shikoja në të gjithë Shqipërinë, e të pyesja të tjera vajza nga mosha 16 në 20 vjeç se cila ishte ëndrra e tyre. Prisja që të kishin ëndrra të mëdha, por faktikisht u befasova”, shprehet fotografja Jutta Benzenberg.
Jutta arrin të rrëzojë muret, e ta bëjë shpresën e çdo personazhi të lexueshëm përmes imazhit. Ëndrrat e tyre të mëdha, fshihen në dëshira të thjeshta. Dikush dëshiron të udhëtojë nëpër botë, një tjetër të bëjë familjen e lumtur… Disa të kenë një parukieri, si kjo vajzë nga Pogradeci, imazhin e të cilës fotografja e jetëson jo rastësisht në stilin marubian… Sikur diç të kish ngec në kohë, dhe jo thjesht magjia e atyre fotove.
“Pasi realizuam fotografinë e pyeta se cila është ëndrra jote dhe ajo më tha: Unë dua të bëhem parukiere. Kjo ishte ëndrra dhe kështu nisa të mendoj se çfarë kishte pas saj, cila ishte jeta që bënte, situata e saj në familje. Dhe ka qenë diçka shumë e bukur të takohesha me këto vajza, në fillim ishin të ndrojtura kishin turp, por pastaj ne krijuam një lidhje dhe u hapën. Dhe kjo lidhje nuk është e rëndësishme vetëm kur punohet në kuadër të fotografisë, por veçmas kur punon në kuadër të të drejtave të grave”, shton më tej fotografja.
Albiola, nga Letaj i Hasit na rrëfen se është fotografuar bashkë me të motrën, në një ditë me shi, pranë shtëpisë së saj. Gjatë çeljes së ekspozitës, në kuadër të Javës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ajo tregon se sot studente e farmacisë, nuk ka hequr dorë nga ëndrra e saj që një ditë të bëhet mjeke.
“Unë shpresoj që të gjitha vajzat dhe gratë ti ruajnë ëndrrat si thesarin më të shtrenjtë dhe të luftojnë për realizimin e tyre”, thotë ajo.
Ekspozita e mbështetur nga UN Women, solli në Ditën e OKB, një copëz realiteti nga vendet e largëta të Shqipërisë, si një përpjekje për të luftuar steriotipet gjinore, normat e ngurta patriarkale…