Enea Janko: Pak fjalë për krizën aktuale dhe modelin ekonomik shqiptar

Enea Janko: Pak fjalë për krizën aktuale dhe modelin ekonomik shqiptar

Foto ilustruese

Një ekonomi si kjo që është krijuar në Shqipëri në 32 vitet e fundit, trumbetohet sikur është një ekonomi që bazohet te tregu dhe konkurrenca e lirë, por në fakt:

● Është një ekonomi thellësisht e përqendruar në një grusht kompanish private, suksesi i të cilave nuk varet nga mirëmenaxhimi, por varet tërësisht nga marrëdhëniet korruptive me institucionet shtetërore dhe drejtuesit e qeverive, nga ku përfitohen favore nëpërmjet tolerimit të kontrabandës dhe evazionit fiskal;

● Është një ekonomi e centralizuar ku qeveria është burimi kryesor i mbështetjes së aktivitetit të një pakice kompanish private me rreth 2 miliard USD në vit nëpërmjet buxhetit të saj të investimeve, mirëmbajtjes dhe shpenzimeve të tjera;

● Është një ekonomi e deformuar nga paratë e zeza të krimit të organizuar dhe të korrupsionit shtetëror që janë futur ne biznesin e shume kompanive duke shkatërruar konkurrencën e ndershme dhe duke rritur tej mase dhe jashtë çdo logjike ekonomike çmimet e pasurive te paluajtshme, si edhe te produkteve dhe shërbimeve te tjera;

● Është një ekonomi që nuk bazohet te mirëmenaxhimi i resurseve natyrore dhe industria reale e prodhimi vendas, te talenti sipërmarrës, te energjia krijuese dhe shërbimet inteligjente, te industria e dijes dhe kërkim- zhvillimi, te motivimi i burimeve njerëzore dhe rritja e kapaciteteve konkurruese, te zhvillimi i brandeve kombëtare dhe zgjerimi i tregjeve të eksportit, por bazohet te shfrytëzimi barbar dhe shkatërrimi i burimeve natyrore, te shkatërrimi i qyteteve me ndërtime monstruoze dhe vend e pa vend, te shfrytëzimi barbar i burimeve njerëzore, te rritja  e analfabetizmit dhe shkatërrimi i institucioneve arsimore dhe kërkimore - shkencore, te devotivimi i të rinjve dhe nxitja e tyre për të braktisur vendin, te rritja e pandalshme e importeve dhe bizneseve tregtare dhe fasoneve, etj.

● Në Shqipëri vazhdon të thellohet çdo vit deficiti tregtar dhe ekonomia bazohet kryesisht te tregtia me shumicë dhe pakicë që zë mbi 50 % të GDP, ndërkohë që qeveria vazhdon te shtojë çdo vit malin e borxheve publike qe investohen në mënyrë jo produktive nëpërmjet PPP -ve gllabëruese qe sjellin shume pak përfitime reale për qytetaret.

● Duket sikur numri i bizneseve aktive në Shqipëri rritet çdo vit dhe aktualisht numërohen rreth 166 mijë subjekte, por realisht pjesa më e madhe e ekonomisë, e pasurisë dhe të ardhurave kombëtare zotërohet nga një pakicë shumë e vogël e kompanive dhe individëve.

Më konkretisht bazuar në të dhëna zyrtare dhe publike, vetëm rreth 0.05 % e kompanive në Shqipëri përfitojnë rreth 30 % të të ardhurave vjetore të të gjitha kompanive ose rreth 40 % të GDP vjetore të vendit, ndërsa rreth 0.5 % e kompanive zotërojnë rreth 50 % të të ardhurave të vendit të barabarta me rreth 60 % të GDP vjetore të Shqipërisë.

● Të dhënat e mësipërme janë akoma më dramatike po të përfshihej në analizë edhe vlera galopante e evazionit fiskal që kryhet nga kompanitë e mëdha. Dhe për të mbështetur këtë argument mjafton që të pasqyrojmë nivelin shumë të ulët të fitimeve që deklarojnë çdo vit në organet tatimore kompanitë e mëdha.

● Nga të dhënat zyrtare të publikuara rezulton se mbi 60 % e kompanive të mëdha me qarkullim vjetor mbi 100 milion USD raportojnë  në organet fiskale humbje nga aktiviteti ose një fitim 0.6 % - 2 %. Ndërsa mbi 50 % e kompanive të mëdha me qarkullim vjetor mbi 10 milion USD raportojnë një fitim nga aktiviteti 2% - 5 %.

Kjo është arsyeja që niveli i fitimit mesatar te bizneseve në shkallë vendi është më i ulët se 8 % dhe që të ardhurat e buxhetit të shtetit qëndrojnë në nivele shumë të ulëta nga tatimi i fitimit të korporatave, ndërkohë që kompensohet nga taksat qe i paguajnë konsumatorët.

Me këtë strukturë dhe gjendje të ekonomisë së vendit qe punon vetëm për një pakicë shumë të vogël do të jete gjithmonë e vështirë që të sigurohet një rritje e qëndrueshme ekonomike, zhvillimi i vendit dhe rritja e mirëqenies qytetare shqiptare.

Edhe situata aktuale e stagflacionit i ka rrënjët te ky model i ekonomisë qe është ndërtuar ne 32 vitet e fundit, një model qe prodhon super mirëqenie vetëm për shumë pak individë dhe varfëri dhe mungesë perspektive për 99 % te qytetareve.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ADI: 25/03/2022 17:20

    Vella shume mire makro por ke harruar dhe ato mikro informalitetin ne shkembimin e mallrave. levisjet cash ne ekonomi. informalitetin ne deklarimet a pagave. etj.. qe kane gerryer dhe njerzillikun dhe e bejne me gjitheperfshirese kete kaos total.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren